Treg

BQE rrit normën e interesit. Sinjalizon rritje të mëtejshme

Banka Qendrore Europiane (ECB) rriti sot normën e interesit me 0.75 pikë përqindje.

Banka po i jep përparësi luftës kundër inflacionit edhe pse ekonomia e bllokut po shkon drejt një recesioni të mundshëm dimëror.

Me inflacionin që ka arritur në nivelin më të lartë në gjysmë shekulli dhe që i afrohet territorit dyshifror, politikëbërësit janë të shqetësuar se rritja e shpejtë e çmimeve mund të vazhdojë, duke zhvlerësuar vlerën e kursimeve të familjeve.

Në vijim të rritjes së normës së saj në korrik, BQE rriti normën e saj të depozitave në 0.75% nga zero dhe rriti normën e saj kryesore të rifinancimit në 1.25%, nivelet e tyre më të larta që nga viti 2011. Banka parashikon rritje të mëtejshme në tetor dhe dhjetor.

“Presionet e çmimeve kanë vazhduar të forcohen dhe zgjerohen në të gjithë ekonominë dhe inflacioni mund të rritet më tej në afatin e afërt”, tha BQE në një deklaratë.

“Ky hap i madh shënon kalimin nga politika akomoduese drejt niveleve më agresive, që do të sigurojnë kthimin në kohë të inflacionit në objektivin afatmesëm prej 2% të BQE-së”, shtoi banka.

Politikëbërësit po debatonin për javë të tëra midis një rritjeje prej 0.50 dhe 0.75%, por rritja e vazhdueshme si në inflacionin total ashtu edhe në atë bazë duket se e ka zgjidhur debatin, pasi shifrat tregojnë se shtrenjtimi i çmimeve tani po depërton në ekonominë më të gjerë, duke e bërë edhe më të vështirë luftimin e tij.

Pavarësisht rritjes së lartë, ka të ngjarë rritje të mëtejshme të normës, tha BQE.

“Gjatë disa takimeve të ardhshme, Këshilli Drejtues pret të rrisë më tej normat e interesit për të ulur kërkesën dhe për t’u mbrojtur kundër rrezikut të një zhvendosjeje të vazhdueshme për lart të pritjeve të inflacionit,” shtoi BQE.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë