Futboll

Botërori i klubeve/ Reali në finale me ‘poker’, të shtunën synon trofeun ndaj Al Hilal

Gazeta Si – Real Madrid fiton 4-1 në gjysmëfinale ndaj egjiptianëve të Al Ahly dhe të shtunën sfidon sauditët e Al Hilal në finalen e Botërorit të klubeve. Shënuan Vinicius në fund të pjesës së parë, Valverde në fillim të së dytës dhe Rodrigo e Arribas në shtesë. Modriç humbi një penallti.

Vinicius, Valverde dhe Rodrigo: tredhëmbëshi i amerikanojugorëve të Realit rrëmbeu skenën në Rabat, në Marok, ku spanjollët siguruan biletën e finales së Botërorit për klube. ‘Los Blancos’ mposhtën 4-1 Al Ahly, që në gjysmëfinale kishte eliminuar Seattle Sounders. Al Hilal, skuadra tjetër finaliste, në gjysmëfinale eliminoi brazilianët e Flamengos.

Reali shkoi në Rabat me ‘shtyllën kurrizore’ të përgjysmuar, pas dëmtimeve të Benzema dhe Kurtua. Në portë luajti Lunin dhe në sulm Rodrigo si 9 false. Në fillim spanjollët bënë disa gabime, ndërsa Al Ahly luajti hapur, duke iu afruar golit. Më pas doli në pah eksperienca e madrilenëve, që në gabimin e parë të kundërshtarit kaluan në avantazh me Vinicius.

Goli i dytë erdhi pas pushimit nga Valverde. Në minutën e 65-të ndeshja u rihap, pasi Kamavinga shkaktoi një penallti ndaj El Shahat dhe Ali Maloul shkurtoi diferencën. Tri minuta para fundit Modriç shpërdoroi një penallti të fituar nga Vinicius. Në shtesë Reali shënoi edhe 2 gola me Rodrigon dhe Arribas, ky i fundit vetëm pas sekonda pas futjes në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë