Futboll

Botërori 2030, aleancë Spanjë-Portugali dhe Ukraina e ftuar speciale

Gazeta Si – Një kandidaturë e fortë, me një kartë speciale. Prej kohësh Spanja dhe Portugalia janë bërë bashkë për të organizuar Kupën e Botës në vitin 2030. Spanja e ka organizuar Botërorin vetëm një herë, në 1982-shin, Portugalia asnjëherë.

Ajo iberike është karta europiane që përforcohet edhe me një të ftuar surprizë, Ukrainën.

Të mërkurën në Nion presidentët e dy federata iberike, Luis Rubiales dhe Fernando Gomes, pas një takimi me presidentin e UEFA-s, Aleksandr Ceferin, do të dalin në një konferencë shtypi, ku sipas ‘Times’ do të zyrtarizohet kandidatura bashkë me vendin e pushtuar nga Rusia.

Sipas gazetës angleze, Ukraina do të presë ndeshjet e njërit prej grupeve të kompeticionit. Këtë informacion nuk e kanë përgënjeshtruar nga federata spanjolle. Kjo ide ka marrë mbështetjen e kryeministrit ukrainas Volodimir Zelenski. Edhe Spanjës e Portugalisë i pëlqen, sepse do të forconte konceptin se futbolli mund të kontribuojë për paqen dhe shpresën.

Botërori, pas edicionit të Katarit që nis pas një muaji, në 2026-ën do të organizohet në tri vende: SHBA, Meksikë dhe Kanada. Për 2030-ën, përveç kandidaturës iberike ka edhe një ide amerikano-jugore, për të festuar 100 vitet e Botërorit të parë.

U luajt në Uruguai, vend që do të bashkohej me Argjentinën, Kilin dhe Paraguain për një kompeticion gjithmonë e më të gjerë. Një kandidaturë e tretë është ajo e një tresheje të çuditshme: Greqi, Egjipt dhe Arabia Saudite. Por kjo kandidaturë nuk është zyrtarizuar ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë