Gazeta Si – Të reja jo vetëm për Katar 2022. Federata botërore e futbollit po sheh seriozisht ndryshimin e formatit të Kupës së Botës në 2026-ën.Për edicionin e 22-të të Botërorit të futbollit, organizimi i tij në dimër nuk është e reja e vetme. FIFA po punon për detajet e fundit të kompeticionit, ku spikasin risi të tjera.
Telekamera në dhomat e zhveshjes në stadium, konferenca shtypi në vetëm një vend dhe nuk ka më ambientim me fushën një ditë para ndeshjes.

E para është një risi televizive, që lejon transmetimin e pamjeve direkt nga brenda dhomave të zhveshjes së ekipeve. Risia e dytë i takon aspektit gazetaresk dhe ka të bëjë me konferencat e shtypit ditën para ndeshjeve. Këto konferenca duhet të zhvillohen të gjitha në ‘Qatar National Convention Center’.
Risia e tretë ka të bëjë me mbrojtjen e fushave të lojës. Skuadrat nuk mund të zhvillojnë seancën e zakonshme stërvitore një ditë para ndeshjes në fushën ku do ta luajnë atë. Kombëtaret do ta zbulojnë stadiumin vetëm ditën e ndeshjes.
Për Katar 2022 është thuajse gjithçka gati, ndërsa për Kupën e Botës 2026 FIFA po vlerëson mundësinë e ndryshimit të formatit. ‘United 2026’ do zhvillohet nga 25 maji deri më 5 korrik në 3 vende, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Do të jetë edicioni i parë i një Botërori me 48 skuadra pjesëmarrëse. Skuadrat do të ndahen në 16 grupe me nga 3 skuadra, por këtu ka një dyshim për organizatorët. Kjo formë mund të sjellë akorde jo zyrtare në ndeshjen e fundit, që lejon dy skuadrat sfiduese të vazhdojnë më tej.
Sipas ‘Sun’, mes alternativave për të evituar ‘marrëveshjet’ është ajo e gjuajtjes së penalltive për një pikë ekstra pas ndeshjeve të grupit që mbyllen në barazim.
Po shihet edhe mundësia për t’i ndarë skuadrat në 12 grupe me nga 4 kombëtare për fazën fillestare. Kështu mund të kualifikohen dy të parat e çdo grupi dhe disa të treta më të mira mund të kalojnë në fazën me eliminim direkt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




