Nga Joschka Fischer – Kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën në agimin e datës 24 shkurt 2022, ndryshoi gjithçka, jo vetëm për Evropën, por për mbarë botën. Ora e historisë ishte kthyer pas. Sepse kur një fuqi e madhe ushtarake nis një luftë pushtuese kundër një fqinji paqësor, atëherë kemi një rikthim tek një botë, në të cilën pushteti e pohon veten e tij përmes dhunës, në një kohë që kufijtë ri-organizohen me dhunë.
Gati 2 vite më parë, u përmbys parimi përcaktues gjeopolitik i fundit të shekullit XX-të dhe i fillimit të shekullit XXI. Dolën nga ‘moda’ negociatat për paqe, dhe u rikthyen në skenë shfaqjet e njëanshme të forcës. Ndonëse ka pasur shumë luftëra dekadat e fundit, ato ishin kryesisht rajonale në shtrirje, dhe ndodhën në periferi të vijave ndarëse gjeopolitike.
Nuk kishte asnjë aluzion për një Sarajevë globale – pra një luftë që kërkonte një ndërhyrje ndërkombëtare si në Bosnjë në vitet 1990 – por në një shkallë shumë më të madhe. Stabilizuesit automatikë funksionuan asokohe në mënyrë të besueshme, dhe Shtetet e Bashkuara, superfuqia e vetme, shërbente ende si garantuese e rendit botëror.
Ose të paktën kështu dukej, derisa ajo botë u rrënua para syve tanë, pa një alternativë më të mirë në horizont. Prapa pushtimit të Ukrainës nga Putin, qëndron irredentizmi rus neo-perandorak. Putin dëshiron të ndryshojë kushtet gjeopolitike që kanë mbizotëruar që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
Ky lloj projekti revizionist është shumë i rrezikshëm, pasi nënkupton një konfirmim të dominimit, madje edhe të supremacisë. Dhe kësisoj kërkon luftë, jo vetëm kundër fqinjëve më të vegjël dhe fuqive rajonale, por edhe kundër fuqive globale (të cilat kanë interes tek rezultati që do të dalë, edhe nëse qëndrojnë zakonisht në prapavijë).
Siç ka qenë e dukshme prej kohësh, aksi gjeopolitik kryesor i shekullit XXI do të jetë marrëdhënia midis SHBA-së dhe Kinës. Në rast se të dyja superfuqitë do të munden të arrijnë një mirëkuptim strategjik dhe të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, shanset tona për një të ardhme paqësore do të rriteshin ndjeshëm.
Por nëse nuk do të munden, e vërtetë do të jetë e kundërta. Situatën e ndërlikon më tej fakti se rendi i vjetër botëror – i bazuar kryesisht tek parimet liberale të Amerikës dhe supremacia perëndimore – po e humbet fuqinë dhe po ngre shumë pikëpyetje.
Çfarë pasojash do të vijnë nga përhapja e sfidave të armatosura në rendin ekzistues botëror? A mund t’i hapë rrugën Pax Americana një sistemi të ri të diktuar nga Kina? Nëse po, a do të ishte ky proces i dhunshëm apo paqësor, ndoshta duke shfaqur një lloj rikrijimi të “pentarkisë” së vjetër evropiane (supremacia e 5 fuqive) në shkallë globale?
Mendimi i fundit më duket si tepër mekanik, sidomos tani që në Lindjen e Mesme po vazhdon një luftë e dytë e madhe. Mizoritë e Hamasit në Izrael më 7 tetor, tregojnë se si kur ndryshojnë kushtet gjeopolitike më moderne dhe të kushtëzuara, mund të shpërthejnë konfliktet të gjata për territor.
Konflikti izraelito-palestinez nuk është i ri. Ai daton që në kohën e Perandorisë Britanike dhe Luftën e Parë Botërore. Por pa një kornizë të qëndrueshme gjeopolitike, konflikte të tilla bëhen ideale për një instrumentalizim të fshehtë nga të tjerët, që konkurrojnë për fuqi globale ose rajonale.
Izraeli ka hyrë sot në Gaza, sepse ndihet i detyruar të çrrënjosë njëherë e mirë prej andej një organizatë terroriste, e cila ka pasur prej kohësh mbështetje nga Irani, armiku i tij rajonal. Njëkohësisht, SHBA-ja ka dërguar në Mesdheun Lindor dy grupe aeroplanmbajtëse për të parandaluar zgjerimin e luftës në Liban, ku Hezbollahu, një tjetër milici e mbështetur nga Irani, e provokon vazhdimisht Izraelin duke lëshuar dronë dhe raketa nga përtej kufirit.
Fitili që ndezi Hamasi më 7 tetor është larg shuarjes. Shtoji këtu retorikën gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj Tajvanit dhe pretendimin e saj për sovranitet në Detin e Kinës Jugore, dhe është e lehtë të shihet se sa e paqëndrueshme është bërë situata globale. Duke shtuar edhe pasigurinë, atëherë mund të thuhet se bota po përjeton një riorganizim në shkallë të gjerë.
Jugu Global kërkon më shumë vende në tryezën ku merren vendimet e mëdha, ndërsa po shfaqen aleanca dhe koalicione të reja, të cilat janë përtej mundësive të Perëndimit për t’i mbajtur nën kontroll. A do të jetë një garë e “Perëndimit kundër pjesës tjetër të botës”, konteksti në të cilin do të shohim rënien e dominimit perëndimor?
Apo rrymat e fuqishme politike në Evropë dhe SHBA, do ta tërheqin Perëndimin nga strukturat e tij tradicionale të aleancës në një drejtim më anti-demokratik? Putin shpreson shumë që pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, SHBA-ja të braktisë detyrimet e saj transatlantike. Nëse ndodh kjo gjë, shumëkush tmerrohet kur mendon se çfarë do të bëhet me Evropën. Një botë e re po shfaqet vërtet në horizont. Ajo do të karakterizohet jo vetëm nga më shumë ndërvarësi, por edhe nga më shumë pasiguri, rreziqe dhe luftëra. Stabiliteti në marrëdhëniet ndërkombëtare, do të bëhet një koncept i huaj që i përket një epokë të dikurshme, një koncept të cilin ne nuk e vlerësuam plotësisht, derisa nisi të zhdukej.
Burimi: Project Syndicate/ Përshtati: Gazeta Si
Shënim: Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendës/kancelar në vitet 1998-2005.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




