Treg

Bota përballet me mungesën e shisheve të qelqit-Vera shqiptare preket nga kriza

Pandemia e Covid-19 ka çuar në mungesa në disa produkte bazë në të gjithë botën, por tani po ndikon edhe në pijet e preferuara të disa njerëzve.

Mungesa e shisheve të qelqit është një krizë që ka çuar në mungesë të verës. Ndikimi po ndihet në shumë shtete ku disa nga drejtuesit e kantinave të verës thanë se shitjet e tyre kanë rënë për shkak të problemeve të zinxhirit të furnizimit.

Instituti i Paketimit të Qelqit pohon se çështja nuk është vetëm një mungesë e thjeshtë qelqi. Shkaqet e këtij problemi që ka nisur në botë vijojnë nga mungesa e fuqisë punëtore deri tek problemet logjistike në ekonominë e gjerë botërore.

Sipas mediave botërore, disa prodhues qelqi kanë devijuar procesin për të bërë shishe për vaksinat anti-Covid 19.

Efektet e krizës së shisheve të qelqit që kanë prekur shtetet ka filluar të ndihen edhe në Shqipëri.

Shumë prodhues të verës të cilët i marrin shishet nga jashtë pohojnë se ky është një efekt zinxhir dhe vendi ynë ka nisur të ekspozohet ndaj kësaj krize tashmë.

“Kriza e qelqit është prezente që tani. Ne i marrim shishet në Itali dhe e gjithë kjo është reflektuar menjëherë në rritjen e çmimit prej 35%, ”-thotë për Gazetasi.al Levent Nurellari, drejtues i “Kantina Nurellari” në Berat.

Kriza e qelqit duket se është një tjetër goditje që po i bëhet tregut të verës i cili vuajti shumë nga shitjet e pakta si pasojë e pandemisë.

Edhe prodhues të tjerë të verës pohojnë po të njëjtën gjë për Gazetasi.al.

“Mbase nuk po përhapet menjëherë me të njëjtin ritëm sa në botë por gradualisht po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt saj. Na kanë thënë që do rriten kostot dhe rrjedhimisht duhet të rrisim edhe ne çmimet. Kemi bërë disa porosi për shishe sepse i marrim nga Italia Jugore dhe që tani kanë nisur vonesat.

E keqja është sepse duke qenë se kjo situatë shkon zinxhir ne nuk e dimë kur do na vijnë shishet e qelqit pasi dukshëm me vonesa po përballen edhe shtetet e tjera. Është një efekt në zvarritje”-pohon gjithashtu për Gazetasi.al drejtuesi i Kantina Alimani.

Rigers Kaçorri nga Kantina Arbri që ndodhet në Mirditë thotë se edhe pse aktualisht në Shqipëri po flitet shumë pak për të dhe nuk ka shumë informacion, efektet po i ndiejnë ata që merren çdo ditë me këtë punë, prodhuesit e verës dhe punëtorët e kantinave.

“Në botë është pak më e thellë po është e pashmagshme që do të vijë edhe në Shqipëri. Do vijë momenti që do duhet të porosisim shishet për verën e prodhuar dhe nuk do të kemi nga t’i marrim.”

Të tjerë shtojnë se ndonëse kjo nisi si një gjë me përmasa të vogla, pasojat duken se do të jenë të mëdha dhe do të prekin në mënyrë direkte të gjithë prodhuesit dhe furnitorët që merren si me verën ashtu edhe me birrën.

Shoqata Shqiptare e Prodhuesve të Verës duket se ekziston vetëm në letra e për të pak flasin drejtuesit e kantinave, por Dashamir Elezi nga Shoqata e Somelierëve në komunikim me disa nga prodhuesit kryesorë të verës thotë për Gazetasi.al se efektet e kësaj krize do të fillojnë të ndihen ditë pas dite në vendin tonë.

“Nëse vera do të qëndrojë për një kohë të gjatë në fuçi, atëherë ajo fillon dhe e humbet shijen autoktone dhe kjo është shqetësuese për ne që e prodhojmë. Aktualisht nuk kemi patur nevojë për një numër të caktuar shishesh por shumë shpejt do të kemi, dhe duke qenë se të gjithë ne i porosisim nga jashtë, vonesat do na e dëmtojnë cilësinë e verës.

Çdo krizë që nis në botë i shtrin medoemos efeket e saj edhe në Shqipëri ashtu si në shtetet e tjera,”-thonë drejtuesit nga Shtëpia e Verës të cilët i shqetëson shumë fakti që kjo krizë mund të ndikojë në pijet dhe verërat e preferuara të shumë qytetarëve.

“Do të kemi shumë verë dhe pak shishe. Ashtu siç po ndodh në disa shtete, dhe ne do t’iu përgjigjemi me zhvendosje paketimeve jokonvencionale, do të duhet të pranojmë shishe më të vogla ose mbase edhe më të mëdha se normalisht.Do duhet të përballemi me situatën.”

Prodhimi amerikan i shisheve të pijeve alkoolike është rritur rreth 3 për qind nga viti në vit në nëntë muajt e parë të 2021, ndërsa importet e shisheve 750 ml për verëra dhe pije alkoolike janë rritur me 14 për qind

Shpenzimet për alkoolin janë rritur gjatë pandemisë, duke u rritur pothuajse 13 për qind për verën dhe 14 për qind për pijet alkoolike midis tremujorit të parë të 2020 dhe tremujorit të tretë të 2021, treguan të dhënat e Byrosë së Analizës Ekonomike.

Sipas ritmeve të krizës në botë,shumë punishte vere parashikojnë se problemet do të vazhdojnë deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Edhe në Shqipëri drejtuesit e kantinave shumë shpejt do nisin t’i fitojnë klientët e tyrë që t’i blejnë verërat e tyre të preferuara që tani sepse më tej askush nuk mund të garantojë disponueshmërinë e produktit dhe të qelqit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë