Pas Diego Armando Maradonës, bota e futbollit ka pësuar një tjetër humbje. Paolo Rossi, heroi i Italisë në Botërorin e vitit 1982 në Spanjë ka ndërruar jetë, si pasojë e një sëmundje të pashërueshme.
Rosi do të mbahet mend gjatë për Botërorin e Spanjës në vitin 1982, teksa ia doli të udhëhiqte Italinë drejt suksesit duke i shënuar një tregolësh Brazilit dhe më pas Gjermanisë në finale. Rosi ishte protagonist dhe arkitekt i atij udhëtimi të shkëlqyeshëm, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i turneut dhe në të njëjtin vit ai fitoi Topin e Artë.
Së bashku me Baggio-n dhe Vieri-n, mban rekordin e golave (9) të shënuar nga një italian në Kupën e Botës. Ai ishte lojtari i parë në histori (është barazuar vetëm nga Ronaldo Fenomeni), që fitoi Kupën e Botës, titullin e golashënuesit më të mirë dhe Topin e Artë. Për sa i përket karrierës në rang klubesh, 64-vjeçari u aktivizua me Juventusin (fitoi dy Serie A), Milanin, Veronën, Peruxhian, Komon, Viçencën, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

















