Shendet

Bota duket se nuk ka mësuar asgjë edhe pas 29 milionë vdekjeve

Nga Gazeta 'Si'-Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus , ka fituar imazhin e një zyrtari të disiplinuar të Kombeve të Bashkuara. Ai shfaqet në publik i përmbajtur, si në mimikë ashtu edhe gjuhën që përdor.

Prandaj tërhoqi shumë vëmendje, kur disa ditë më parë ai i përshkroi negociatat mbi marrëveshjen e re shumëpalëshe për luftën ndaj pandemive të ardhshme si “një përrua lajmesh të rreme, gënjeshtrash dhe teorish konspirative”. Dhe një dështim të mundshëm, të cilin “mund të mos na e falin” brezat e ardhshëm.

Pas 29 milionë vdekjeve, traumës së një brezi, dhe një borxhi shumë miliarda dollarësh, të cilin do të na duhet ta shlyejmë për disa dekada, autoriteti kryesor shëndetësor në planet, po lëshon alarmin duke thënë se duket se komuniteti ndërkombëtar nuk ka mësuar asgjë.

Çdo analizë serioze e negociatave, e justifikon alarmin që lëshon Ghebreyesus. Kur kanë mbetur më pak se 16 javë nga mbledhja e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, e cila duhet të miratojë një marrëveshje që deri vonë dukej si e vulosur, dallimet midis vendeve të pasura dhe të varfra, shtrembërimi i kontekstit gjeopolitik dhe lakmia, po nxitin ndërhyrjen e interesave private, të cilat kërcënojnë të hedhin në erë 2 vite negociata, dhe ta lënë sistemin shumëpalësh fare të pambrojtur përballë pandemisë së ardhshme.

Programi i Shoqatës Ndërkombëtare për Sëmundjet Infektive, ka punuar që nga viti 1994 për të vlerësuar dhe trajtuar rrezikun e patogjenëve dhe vektorëve infektivë në zhvillim, të cilët mund të shkaktojnë probleme shumë më të mëdha.

Në rast se hyni në faqen e internetit të ProMED, do të shihni një hartë botërore plot me tregues të kuq dhe portokalli. Ato tregojnë se rreziqet shëndetësore nga viruset dhe bakteret, janë një kërcënim po aq real sa ishin në shkurt 2020, edhe pse sot kjo thuhet nën zë.

Një nga treguesit më të mirë të lënies pas dore të kësaj çështje, është fakti që vetë ProMED, po has shumë vështirësi financiare për të vazhduar punën e tij. Po nëse komuniteti ndërkombëtar nuk është në gjendje të kuptojë, pse kemi nevojë për një sistem të mirë mbikëqyrjeje epidemiologjike tani që ka mbaruar pandemi e fundit, si mund të presim që ai të përgatitet për rreziqe të tjera shëndetësore?

Tek e fundit, sëmundjet infektive nuk janë shqetësimi ynë i vetëm. Ngjarjet natyrore ekstreme - si zjarret, thatësirat dhe përmbytjet që vijnë nga ndryshimet klimatike - konfliktet e armatosura ose aksidentet biokimike dhe radioaktive, mund të vënë në rrezik edhe sistemet më të sofistikuara shëndetësore.

Për shembull, frika nga armët bërthamore, ishte një temë e preferuar e filmave distopikë përpara luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Ndërkohë sot ato janë një skenar real, për të cilin ne jemi të detyruar të përgatitemi në të njëjtën mënyrë si për emergjencat e tjera shëndetësore.

Në këtë kontekst, marrëveshja shumëpalëshe mbi luftën ndaj pandemive të ardhshme, mbart me vete një peshë simbolike dhe politike që e shumëfishon vlerën e përmbajtjes së saj. Teksti që po negociohet, mbulon një spektër të gjerë sistemesh të gatishmërisë dhe reagimit:nga mbikëqyrja epidemiologjike dhe modelet e shkëmbimit të informacionit tek qëndrueshmëria e sistemeve shëndetësore, duke përfshirë edhe qasjen në zhvillimin bioteknologjik, koordinimin ndërmjet aktorëve publiko-privat dhe komunikimin publik.

Të gjitha këto janë fusha komplekse, në të cilat komuniteti ndërkombëtar ka treguar se ka shumë hapësirë ​​për përmirësim. Sfidat kryesore për arritjen e marrëveshjes, janë të përqendruara në dy fusha problematike të shëndetit global:kontrolli i njohurive dhe shkëmbimi i burimeve. Për Jugun Global, do të jetë e mundur të korrigjohen pabarazitë e thella dhe mungesa e efikasitetit të reagimit ndaj Covid-19 nëse Veriu e lehtëson shpërndarjen e diagnostikimeve, trajtimeve dhe vaksinave.

Por ky përmirësim, varet edhe nga financimi i përgjigjes bazuar në parimin e përgjegjësive të përbashkëta e të diferencuara, që tashmë janë zbatuar në negociata të tjera, si ato për ndryshimet klimatike. Nga këndvështrimi i Veriut - dhe i sektorit të tij farmaceutik me ndikim - rishqyrtimi i rregullave të pronësisë intelektuale duket po aq i vështirë sa edhe futja e angazhimeve të detyrueshme financiare.

Mosinteresimi i elitës ndaj marrëveshjes shumëpalëshe, reflekton probleme më të thella.

Ndërsa ekspertët nxjerrin raporte që paralajmërojnë mundësinë e kataklizmave të reja shëndetësore, duket se po dobësohet angazhimi i qeverive ndaj sistemeve të gatishmërisë dhe reagimit. Në 17 vende të OECD, buxheti për programet shëndetësore ra në vitin 2022 në nivele të ngjashme ose nën atë të angazhimeve të detyrueshme financiare në 2019.

Fondi i ri i Pandemisë i OBSH/Bankës Botërore - një nga rezultatet e pakta të prekshme të katastrofës së Covid-19 - ka marrë vetëm 1.6 miliardë dollarë nga 10 miliardë dollarë që janë kërkuar nga donatorët, për një përpjekje të parë për përgatitjen dhe reagimin tek vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Ne po rrezikojmë të krijojmë një precedent të rrezikshëm. Pjesa më shqetësuese e vlerësimeve të reagimit ndaj Covid-19 në shumë vende, nuk është moria e gënjeshtrave, abuzimeve dhe paaftësisë që janë zbuluar tashmë, por më shumë një mos-interesim befasues për të mësuar nga gabimet tona.

Dhe në këtë aspekt, nuk bën përjashtim as Spanja. Edhe pse Agjencia Shtetërore e Shëndetit Publik - që ndër funksionet e tjera, synon të organizojë veprimet e gatishmërisë dhe reagimit - do të hapet së shpejti, qeveria ka dështuar deri tani të miratojë një Strategji Globale mbi Shëndetin për të përcaktuar prioritetet tona në këtë debat thelbësor, siç ka bërë BE-ja dhe disa vende fqinje.

Shpërfillja e rekomandimeve të këtij raporti, do të ishte një gabim po aq serioz sa edhe përpjekja për të imponuar interesa të veçanta në negociatat e një marrëveshjeje shumëpalëshe mbi luftën ndaj pandemive në të ardhmen. Të dyja e vënë theksin tek roli themelor i sistemeve shëndetësore, duke filluar me kujdesin parësor dhe shërbimet shëndetësore publike, si dhe me nevojën për të korrigjuar mangësitë serioze në koordinimin administrativ, rrjedhën e informacionit dhe kuadrin institucional e ligjor.

Mekanizmat shumëkombëshe, si Fondi i Pandemisë dhe në rastin e Evropës, Autoriteti i ri i Përgatitjes dhe Reagimit ndaj Emergjencave Shëndetësore (HERA), janë akoma me urgjente. Ndërkaq, është e dukshme domosdoshmëria e mekanizmave më të drejtë dhe më të zgjuar në zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave dhe produkteve të tjera thelbësore.

Një qasje pjesë-pjesë, e cila injoron ndërlidhjet e thella midis shëndetit të njerëzve, planetit dhe qenieve të tjera që banojnë në të, do të ishte realisht katastrofike. Ky debat, nuk duhet të na çojë drejt një marrëveshje ndërkombëtare jo transparente. Ai nuk mund të jetë as edhe një mjet pazaresh në lojën gjeopolitike midis vendeve.

Negociatat për të rregulluar reagimin global ndaj pandemisë, duhet të ushqehen nga kujtimi i atyre që ne pamë të vuanin dhe të vdisnin. Ky është standardi, i cili duhet të vendosin qytetarët për përfaqësuesit e tyre në qeveri. Siç e theksojnë autorët e një letre të nënshkruar nga rreth 50 figura të njohura shkencore dhe politike, të alarmuar nga gjendja e këtyre negociatave:“Një kërcënim i ri pandemik është i pashmangshëm. Por jo një pandemi e re, në rast se veprojmë pikërisht tani”.

Burimi: El Pais/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë