Futboll

Bota do mësojë kush është vërtet! Pogba kërcënohet nga vëllai Matias

Gazeta Si – I ulur në tavolinën, me një letër në duar për të lexuar disa rreshta, ku premton lajme të bujshme kundër vëllait Pol Pogba, përveç Kilian Mbape. Është një video kontroverse ajo që ka publikuar në rrjetet sociale Matias Pogba, vëllai i mesfushorit të Juventusit.

Një deklaratë që lë të kuptohet për një zënkë familjare, duke parë që avokatët e Polit kanë bërë me dije se kanë bërë një denoncim për tentativë zhvatjeje.

Në videon e publikuar në rrjetet soaciale, Matias Pogba deklaron se do të bëjë zbulime të mëdha për vëllanë Pol, Rafaela Pimentan dhe Kilian Mbape. Duke folur me ndjekësit në 4 gjuhë (frëngjisht, anglisht, italisht dhe spanjisht), ish-lojtari i Belfortit ka deklaruar:

“E gjithë bota, tifozët e vëllait tim, të Francës dhe Juventusit, shokët e skuadrës dhe sponsorët e tij, duhet t’i dinë disa gjëra… Bota duhet ta dijë kush është vërtet vëllai im”.

Matias, deri pak muaj më parë afër Polit, me të cilin mori pjesë edhe në një seri të Chiringuito në Spanjë, vazhdon: “Mendoj se nuk i ka shpëtuar askujt zhurma mediatike mbi transferimin, problemet dhe dëmtimin e tij, pa folur për dokumentarin e tij katastrofik.

E publikoj këtë video, sepse besoj se të gjithë duhet të dinë disa gjëra, për të vendosur më pas, nëse vëllai im meriton vërtet admirim, respekt dhe dashuri nga publiku. Por edhe vendin në kombëtare dhe te Juventusi”.

Matias, 32 vjeç, binjaku i Florentin, edhe ai futbollist, për momentin pa skuadër, kapet edhe me avokaten e Pogba, brazilianen Rafaela Pimenta, e cila ka marrë menaxhimin e lojtarëve të Mino Raiolës.

Pol, Matias Pogba dhe Kilian Mbape. Gazeta Si, 28 gusht 2022

“Do të krijoni një ide për integritetin e saj, profesionalizmin dhe ndershmërinë e saj. Do të kuptoni, nëse meriton të drejtojë kompaninë që la Raiola, nëse meriton të menaxhojë lojtarë e të administrojë ata që duan të bëhen lojtarë dhe familjet e tyre.”

Dhe pikërisht këtu është nyja e çështjes. Në familjen Pogba ka një konflikt, siç konfirmojnë avokatët e Polit, por edhe të nënës Yeo Moriba e Pimentas.

“Për fat të keq, postimet e fundit të Matias Pogba, – shkruhet në komunikatën e avokatëve, – nuk na çudisin. Janë vazhdim i kërcënimeve për zhvatje. Kemi bërë një denoncim një muaj më parë në policinë italiane dhe atë franceze, por nuk mund komentojmë hemimet”.

Matias premton zbulime të bujshme edhe për Mbape: “Ylli i futbollit botëror rrezikon të shpërthejë dhe të bëjë shumë zhurmë”. Por vetëm kaq, asnjë detaj. Nga e lojtarit të PSG-së nuk ka pasur asnjë reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë