Taksa

Borxhlinjtë ndaj shtetit, mund t’i shlyejnë detyrimet me këste

Tatimet bëjnë me dije se të gjitha biznest që i detyrohen shtetit, mund ti paguajnë borxhet me këste përmes një Marrëveshje të Pagesës me Këste.

Tatimet sqarojnë se bizneset, për të përfituar nga kjo lehtësi duhet të justifikojnë paaftësinë likujduese të përkohshme financiare.

Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer.

Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për borxhe të vetëdeklaruara nga biznesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit që pason vitin në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Hapat që duhen të ndiqen për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste janë:

Hapi 1
Kërkesë me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksionin e të cilës është regjistruar. (Shpjegoni rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.)

Hapi 2
Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet.

Hapi 3
Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Me lidhjen e kësaj marrëveshje tatimpaguesit nëpërmjet modulit E-filing kanë të drejtën të ndjekin në kohë reale situatën e saj dhe të gjenerojnë “Urdhër Pagesën” e dedikuar vetëm për planin e pagesës me këste. Në këtë rast pagesa do të shkojë vetëm për periudhën / periudhat e përcaktuara në këstin e radhës.

Tatimet bëjnë me dije se ndërpriten masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por nuk tërheqet masa e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor. Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë