Ana e errët

Borxhlinjtë, mashtruesit më të zakonshëm. Ata fitojnë besimin pastaj ju zhvatin

Ata bëjnë pjesë në rrethin e besimit. Madje janë aq afër, sa mund ta quani vëlla, mik, mikeshë, siç i ndodhi një çifti në Tiranë që bënin be për një 51-vjeçar derisa zbuluan se në të vërtetë ishin të mashtruar. Forma më klasike e mashtrimit sipas dosjeve që Gazeta “Si” po zbardh është ajo e marrjes së një borxhi, për shkaqe urgjence, problemi, zgjidhjeje të atypëratyshme të hallit. Më tej një mashtrues, që e sigurt është se ka fituar besimin, ka forma nga më të ndërlikuarat për të përvetësuar të ardhura, pasuri dhe një marrëdhënie.

“Më jep borxh, e kam litarin në fyt” është një nga frazat që fiton keqardhje dhe që të shtyn të ndihmosh mikun që ka nevojë. Të kërkosh borxh dhe mos ta kthesh atë është një nga mashtrimet për të zakonshme që denoncohen më pas nga viktimat në policinë e Tiranës.

A. H, 51 vjeç që një çift në Tiranë i thoshin “vëlla” mori përmes lutjes për ndihmë shumën e 45 mijë eurove. Ndonëse deklaratat noteriale të firmosura vit pas viti merrnin përsipër shlyerjen e borxhit, i akuzuari nuk e mbajti fjalën. Fashikujt që Gazeta Si po zbardh tregojnë se si mashtruesi firmosi gjashtë deklarata noteriale dhe prej andej futi në kuletë paratë.

“Deklaratë noteriale datë 07.04.2014, ku shtetasi A. H. ka marrë shumën prej 6.600 euro, dhe ku zotohej t’i shlyente deri në datë 07.04.2015; Deklaratë noteriale datë 14.05.2015, ku shtetasi A.H ka marrë shumën prej  5000 euro, dhe ku zotohej t’i shlyente deri në datë 14.11.2015;Deklaratë noteriale datë 29.10.2015, ku shtetasi A.H ka marrë shumën prej 5000 euro, dhe ku zotohej t’i shlyente deri në datë 28.10.2016; Deklaratë noteriale datë 30.10.2015, ku shtetasi A.H ka marrë shumën prej 5000 euro, dhe ku zotohej t’i shlyente deri në datë 29.10.2016; Deklaratë noteriale datë 30.11.2015, ku shtetasi A.H ka marrë shumën prej 5000 euro, dhe ku zotohej t’i shlyente deri në datë 01.12.2016;Deklaratë noteriale datë 14.05.2015, ku shtetasi A.H ka marrë shumën prej 5000 euro, dhe ku zotohej t’i shlyente deri në datë 14.11.2015; Më pas ka edhe një kontratë huaje ku shtetasi A.H i ka marrë hua shumën prej 5000 euro me afat shlyerje datë 10.10.2016”.

Bashkëshortët të gjendur në kushte zvarritjeje i drejtohen policisë që e pyet gruan:

Pyetje: Pse thoni që ju ka mashtruar?

Përgjigje: Sepse gjithmonë thoshte do t’i shlyej. Kemi bërë shumë biseda duke na mashtruar dhe asnjëherë nuk ka bërë përpjekje të kthente shumën.

Pyetje: Kur ka qenë momenti për të kthyer shumën?

Përgjigje: Te deklaratat noteriale është caktuar edhe momenti kur do të bëhej kthimi.

Pyetje: Sa herë e keni takuar të pandehurin dhe keni folur për pjesën e kthimit të shumës?

Përgjigje: Jemi takuar shumë herë

Pyetje: Për sa i donte i pandehuri lekët që ju ka marrë hua.

Përgjigje: I pandehuri ka një biznes. Bën dyer të blinduara dhe i duheshin për punën e tij. Ai bën biznes me Italinë dhe nuk po më paguan shumën që i kam dhënë.

Pyetje: A keni biseduar për ndonjë mënyrë tjetër pagese?

Përgjigje: Po. Ai më thoshte se do m’i konvertonte me klering por deri në këtë moment nuk ka bërë asnjë gjë.

Por i pyetur në polici, A.H justifikohet, së pari duke këmbëngulur se i kishte kthyer paratë dorazi dhe më pas dorëzohet “Nuk ishte thjesht një borxh por edhe një marrëdhënie ekonomike dhe nga ana ime. Pasi unë i kam lënë një apartament si garanci dhe mbasi i kam shlyer shumën apartamenti është kthyer tek unë. Në një moment tjetër kemi marrëdhënien e dytë dhe vlera është 25000 euro. E ndarë kjo me deklarata borxhi nga 5000 euro, gjithsej në 4 akte”.

Sa e bukur kjo makina

E.G është administrator i një shoqërie që jep automjete me qira. Pranë zyrave ku i riu është i punësuar i paraqit një djalë i ri, i veshur bukur dhe i qetë kërkoi të marrë një makinë me qira për vetëm një ditë. Gjatë lidhjes së kontratës për dhënien e mjetit opel corsa me targa 1..-..c , çdo veprim ishte i rregullt. Korrekt i riu që më pas u identifikua si A. P, 27 vjeç u paraqit ta shtyjë kontratën e mbajtjes së makinës edhe për pesë ditë dhe ka kryer menjëherë pagesën. Më pas qiramarrësi fiku telefonin dhe humbi kontaktet. Bazuar në kallëzim dhe mbasi administroi kopje të dosjes së mjetit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor që tregon se vlera e makinës është 2 mijë euro policia u vu në kërkim të mashtruesit, i cili kur u kap nga uniformat blu deklaroi: jam i penduar, kërkoj falje.

Të njëjtën skemë përdori edhe D.GJ., një 25 vjeçar nga kryeqyteti që mbasi mori me qira makinën ia dha shokut të tij. Policia shkruan më pas denoncimin e  administratores së kompanisë.

“Pasi ka mbaruar kontrata e qirasë ky shtetas nuk e ka kthyer mjetin dhe është kontaktuar në numrin e telefonit 069….., të cilin e ka lënë si numër kontakti në kontratë por nuk është përgjigjur dhe me pas ka deklaruar që makinën e marrë me qira, ia kishte marrë një shok dhe nuk e dinte se kur do t’ia kthente sepse ashtu kishin disa probleme dhe ka mbyllur telefonin”.

Një muaj më pas, teksa pala dorëzoi denoncim policia shpalli në kërkim automjetin e marrë me qira.

“Makina për të cilën ishte bërë denoncim ka qenë duke kaluar afër vendit të quajtur 21 Dhjetori dhe bashkë me drejtuesin e mjetit, shtetasin L. G., është shoqëruar në Komisariat. Shtetasi L. G. ka deklaruar se, këtë mjet ia ka marrë për të mbaruar një punë personale dhe se shoku nuk i ka treguar që mjeti ishte marre me qira”.

Jam administrator, do paguaj përmes bankës

19-vjeçari K.D. u paraqit pranë një kompanie që shet kompjuterë në Tiranë dhe nën emër të shoqërisë K. të cilën e kishte themeluar pesë muaj më parë aplikoi për të marrë disa laptopë. Marrëveshja mes të riut që u prezantua si pronar u mbyll me porosinë për të marrë 6 kompjuterë Dell të cilët sipas faturës tatimore nr27……23 u lëshuan në të njëjtën datë të porosisë. Shuma që duhej paguar ishte 2840 euro. Por fashikujt që gazeta Si disponon tregojnë se 19 vjeçari nuk pagoi asnjë vlerë me justifikimin se do t’i kalonte në llogarinë e shitësit nëpërmjet bankës. Burimet tregojnë për gazetën Si se pak ditë më vonë, i riu u paraqit sërish në dyqanet e denoncuesit duke marrë edhe dy aparate kompjuteri të të njëjtit lloj, por të markës HP që sipas faturës tatimore kushtonin 1050 euro. Edhe për këtë blerje i riu premton: do t’i kryej pagesat përmes bankës

Mbasi kanë pritur disa ditë, shitësja ka telefonuar blerësin mashtrues, i cili e ka vënë në dijeni se pagesat ishin kryer përmes një banke të njohur.

Në fashikull thuhet “Ai ka dërguar në rrugë elektronike edhe kopjet e mandat pagesave, që duhet të justifikonin pagesat e kryera. Meqenëse nga verifikimet e shpejta, pagesat rezultonin të pakryera, shtetasja F.SH është interesuar në subjektin financiar “R. ” dhe atje ka mësuar se, numri i referencës së mandateve të pagesave të paraqitura prej saj dhe të dërguara në rrugë elektronike nga shtetasi K. D., nuk përdorej nga banka prej rreth një viti. E interesuar për të marrë paratë e produktit te shitur, ajo ka komunikuar me të pandehurin në fjalë, dhe ai i ka thënë se, paratë i ka dërguar nga filiali i bankës, që ndodhej pranë ambienteve ku ai ushtronte aktivitetin e tij. Por verifikimet e kryera edhe në filialin e bankës tregonin se, pagesat nuk ishin bërë”.

Përfundimisht i pandehuri K. D., pasi i ka komunikuar me të, në rrugë elektronike, gjë që pasqyrohet edhe në mesazhet e këmbyera mes tyre dhe i ka premtuar të priste edhe pak kohë, ka ndërprerë kontaktet. Në kushte kur shtetasja F. Sh e ka ndjerë veten të mashtruar, është drejtuar në organin e policisë dhe ka bërë kallëzimin përkatës.

Gjatë komunikimeve me shitësen në njërën nga bisedat mashtruesi shprehet: “Të lutem të më dërgosh në përgjigje të e-mail-it një kopje të faturave, pasi nuk po e gjej kopjen time dhe shumën e kamatëvonesës që të detyrohem, bashkë me numrat e llogarive bankare. Pagesën do ta kryej fizikisht në B. ..”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë