Ekonomi

Borxh pa risk nuk ka, dhe qeveria të thotë ku do të përdoren paratë

Dy debate kanë pasuar entuziazmin e kryeministrit Rama për daljen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare me eurobondin 650 mln euro ; a ishte vërtet pa risk dhe ku do të shkojnë 400 mln euro që teprojnë pasi të rifinancohet borxhi 250 mln euro prej tij.

Nevoja për para që ka vendi për të zhvilluar sektorë të caktuar i bashkon të gjithë ekspertët duke u dakordësuar për emetimin e eurobondit, por entuziazmi që u përçua në masën pa njohuri financiare se ky borxh u mor me risk zero, nuk kaloi pa u ndjerë në radhët e “zanatçinjëve”.

Ish këshilltarja e kryeministrit Rama Irena Beqiraj përmes një gjetjeje elegante vendos përballë njëri-tjetrit bankierin dhe taksistin të cilët në qasjet respektive shpjegojnë besimin e investitorëve ndaj librave të Shqipërisë. Ajo e shpjegon teknikisht konceptin e riskut dhe e llogarit atë.

Irena Beqiraj, Ish Këshilltare e kryeministrit Edi Rama

“Nëse pyet një bankier do të shpjegonte: “për vlersimin e Eurobondit na duhet të krahasohemi me Gjermaninë dhe të gjithë vendet obligacionet qeveritare të të cilave janë të klasifikuara AAA . Norma e interesit të portofolit të obligacioneve AAA konsiderohet norma e interesit pa risk ose norma bazë. Norma e interesit të Eurobondit e vendit = Norma e interesit pa risk + Cmimi i riskut te vendit. Eshtë pikërisht cmimi i riskut ai që tregon përceptimin që kanë investitorët për riskun e Shqipërisë. Po a është rritur apo ulur ky cmim per vitin 2020 ? Kjo është cështja?”- shkruan në llogarinë e saj në Facebook ish këshilltarja e Ramës.

Për 2020-ën Beqiraj llogarit se norma e interesit të Eurobondit Shqiptar 3.625.

Norma e pa risk -0.239% nga del çmimi i riskut për Eurobondin 2020 = 3.864%

Në 2018-ën norma e interesit të Eurobondit Shqiptar 3.55%.

Norma e pa risk +0.54 % nga del Çmimi i riskut për Eurobondin 2018 = 3.01% .

Pra në 2020 çmimi i riskut rezulton 0,85% , ose 33% më i lartë se në 2018-ën.

“Por a është ky një rezultat spetakolar?”- pyet ish zv/ministrja e financave duke u përgjigjur vetë në mënyrë ironike se “Këtë nuk di ta them.”

“ Taksisti im mendon që është besim i madh që të huajt janë gati ti japin hua Shqipërisë. E drejtë, fundja të huajt njësoj si taksisti nuk janë budallenj. Ndërsa bankieri, shpjegon që kur tregjet kanë shumë likujditete ( sidomos pas njoftimit të paketës 750 billion euro të Bankës Europiane) dhe interesat apo kthimet e klasave të tjera të letrave me vlerë janë shumë të luhatshme apo janë negative, të huajt do të jenë gati ti japin Shqipërisë borxh me ketë normë .Norma e interesit 3.625% nuk ka asgjë spektakolare. Vazhdon më shpjegon edhe disa opsione që përdoren në këto raste nga investitorët për të mbuluar riskun. Burrë i komplikuar edhe shumë i mllefosur duket ky bankeri.”- shkruan Beqiraj në Facebook duke përfunduar se “Unë i rashë shkurt. Do bashkohem me mendimin e Taksistit. Të huajt e mençëm na besuan, ne nuk jemi Gjermania.”

Po ashtu edhe profesor Selami Xhepa, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës thotë se nuk është krenari dhe sukses i madh të merret borxh, por si do të përdoret ai.

Selami Xhepa, pedagog UET

“Kur marrim këtë lloj borxhi nuk duhet të krenohemi me fatin që kemi marrë borxh. Në lidhje me besueshmërinë nuk  është një çështje për t’u krenuar, pasi ne duhet të krenohemi se duhet të krenohemi kur i lajmë, jo kur i marrim. Ne kemi vite që marrim borxhe dhe që borxhi i Shqipërisë është rritur shumë. Marrja e borxhit publik për të shlyer një borxh është normale, pasi borxhi është i përjetshëm por e rëndësishme është të ruajmë tavanin e borxhit publik që tashmë nuk po diskutohet.  Kryeministri ka thënë se për shkak të tërmetit dhe pandemisë do të bëjë edhe rishikimin e buxhetit. Problemi është çfarë investimesh publike kryejmë me borxhin që marrim.”- thotë Xhepa.

Sipas tij, kur merret borxh ka një logjikë. Një privat që merr borxh për të blerë bukë, shprehet Xhepa, nuk ka përfitim, por kur merret për një investim është i shëndetshëm.

“Dhe qeveria kur merr borxh duhet të investojë në sektorë të rëndësishëm”, thotë eksperti Xhepa.

Klodian Muço pedagog në fushën e ekonomisë në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë, në një prolog që i bën ekonomisë shqiptare të viteve 9 viteve të fundit, nxjerr konkluzionin se rritja e borxhit është më e lartë se ajo e Prodhimit të Brendshëm Bruto për të shpjeguar që paratë e marra nga eurobondi duhet të përdoren për të rritur ekonominë duke financuar sektorët në nevojë të cilët janë goditur si nga tërmeti, ashtu edhe nga pandemia.

Klodian Muço, pedagog “Zoja e Këshillit të mirë”

“Në periudhën 2010-2019, GDP e Shqipërisë me çmime konstante ka shkuar nga 11.9 mld dollar në rreth 15 mld dollar. Ndërkohë që për të njëjtën periudhë kohe borxhi publik i vendit ka shkuar nga 6.88 mld dollar në 10.2 milardë dollar. Pra nga një anë kemi pasur një shtim të GDP-së me 3.1 mld dollar nga ana tjetër borxhi publik është rritur me 3.32 milardë dollar. Në të tilla kushte mund të themi se në Shqipëri në 10 vitet e fundit kemi pasur më shumë rritje të borxhit publik se shtim të GDP-së.”- thotë Muço duke shtuar se “falë meritës së konsulentëve të cilët gjetën momentin ideal për të bërë emetimin në Bursën e Londrës, emetimi i eurobondit 650 milionë euro nga tregjet ndërkombëtare me yeld 3.62% me afat maturimi 7-vjeçar u konsiderua një lajm fantastik kjo ndoshta, duke marrë në konsideratë situatën në të cilën gjendet ekonomia globale e që pak kohë më parë morëm borxh nga FMN me 4% normë interesi. Mbas këtij entuziazmi për normën e interesit relativisht të ulët lind natyrshëm pyetja se çfarë do të bëhet me këto para?”

Për Muçon, forma më e mirë është që europbondi  të shkojë për të gjitha ato biznese që kanë mundësi të rritin prodhimin vendas dhe fuqinë eksportuese të vendit.

Paratë, thotë ai, mund të shpenzohen në investime kapitale në funksion të hapjes së vendeve të reja të punës apo rihapjen e vendeve të punës të mbyllura përgjatë pandemisë së Covid-19.

“Pra shuma prej 400 milionë euro duhet të shkojë për shpenzime eficiente që mund të ndihmojnë në përmirësimin e ekonomisë së vendit dhe kurrsesi për shpenzime luksi apo për rritje të pagave siç afirmoi Ministri Ahmetaj, ndërkohë që janë mbi 60000 persona që kanë humbur vendin e punës e 100 mijëra të tjerë që kanë pasur reduktim të ardhurash apo pezullim nga puna.”- shprehet Muça për gazetën “Si”.

Në fakt se ç’mendon Bankieri i ish këshilltares Beqiraj, shumë shpejt do të harrohet, ashtu si ndoshta edhe entuziazmi i kryministrit Rama, por shqiptarët nuk mund të harrojnë gjendjen në të cilën ndodhen dhe dëshirën për të patur mirëqenie duke dashur realisht të krahasohen me qytetarët e europianë të profesioneve të ngjashëm dhe duke patur parasysh që do të jenë ata që do ta paguajnë riskun dhe interesat e principalin e eurobondit në shtatë vitet e ardhshme.

Dy ditë më parë kryeministri Rama do të njoftonte daljen në treg të eurobondit të katërt shqiptar duke e quajtur spektakolar për besimin e investitorëve sipas tij.

Kreu i qeverisë do të thoshte se përgjigjia e mekanizmave ndërkombëtarë ka qenë ekzaktësisht “besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj”.

  Në postimin e tij në rrjetet sociale, kryeministri do të sulmonte edhe opozitën që sipas tij nuk di t’i gëzohet asnjë të mire të këtij vendi.

“Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj”, deklaroi ai. “Dhe natyrisht, kur një vend arrin këtë rezultat spektakolar në një kohë kaq të vështirë dhe megjithë vajtojcat që e qajnë dhe shajnë përditë, nuk ka se si të mos jesh krenar si kryetar i qeverisë, për librin e llogarive të shtetit që merr një vlerësim kaq spektakolar nga tregjet!”

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë