Para

Borxhi i Shqipërisë ulet në 59% të PBB-së. Risku i rifinancimit dhe i kursit të këmbimit, mbetet i lartë

Nga Gazeta 'SI' - Borxhi publik i Shqipërisë ka rënë në nivelin më të ulët ndaj PBB-së në fund të 2023-shit, duke zbritur poshtë 60%. Sipas ministrisë së Financave, borxhi i Shqipërisë është sa 59.22% e PBB-së së vendit, duke u reduktuar me rreth 5 pikë përqindje brenda pak muajve.

Por reduktimi më shumë se sa me uljen nominale të borxhit, lidhet me rritjen e PBB-së. Gjithsesi edhe në shifra, borxhi publik është ulur me 9.4 mld lekë nga 2022-shi në 2023-shin.

32.26% e këtij borxhi është i brendshëm dhe 26.56% i jashtëm. Nga tabela e MF-së vërehet se reduktim më të madh ka patur masa e borxhit të jashtëm, lidhur kjo dhe zhvlerësimin e monedhave të huaja, pasi borxhi shprehet në lekë.

Pjesa më e madhe e këtij borxhi është në interesa fikse, por një pjesë e konsiderueshme është në interesa të luhatshme, duke e ekspozuar atë ndaj ndryshimeve të herë pas hershme.

Risku i rifinancimit dhe i kursit të këmbimit për borxhin e Shqipërisë, ndonëse është ulur, mbetet i lartë. Rreth 45% e borxhit maturohet brenda një viti dhe mbi 45% është në monedhë të huaj. Koha mesatare e maturimit të borxhit të Shqipërisë është pak më shumë se 2 vite dhe siç vlerësojnë autoritetitet ndërkombëtare, e bën atë të rrezikshëm. Borxhi afatshkurtër është me rrezik për buxhetin e shtetit pasi do të thotë kthim i një sasie të madhe parash brenda një kohe të shkurtër, sidomos në një periudhë të interesave të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë