Nga Gazeta SI – Borxhi i jashtëm bruto ka vazhduar trendin rritës edhe për tremujorin e parë 2022, duke shkuar në vlerën e 9.8 mld euro, me 9.8% rritje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, kur ishte 8.84 mld euro.
Pjesa më e madhe e këtij borxhi është hua afatgjatë e qeverisë, 4.83 mld euro për tremujorin e parë 2022, me rritje 0.66 mld lekë në raport vjetor. Ajo ndahet midis huasë së thjeshtë, 3.63 mld euro, që është rritur me 0.2 mld ga tremujori i parë 2021, dhe titujve të borxhit, 1.2 mld, rritur me 0.4 mld për të njëjtën periudhë.
Ndërkohë pjesa tjetër e borxhit ndahet midis Bankës Qendrore, që mban 224 mln euro, rritje e madhe në raport vjetor, kur një vit më parë ishte vetëm 56 mln euro. Korporatat depozituese, bankat, mbajnë 1.53 mld euro hua dhe 1.67 mld euro borxh i përkasin kompanive ndaj kompanive të tjera.
Për këtë tremujor, qeveria mban vetëm 50% të borxhit të jashtëm, shifër që ka ardhur në rënie, kur në tremujorin e tretë 2021, qeveria mbante 52% të BJB-së. Përqindjen e dytë më të madhe të borxhit, e mbajnë kompanitë me 17%.
Vlera e borxhit të jashtëm për tre muajt e parë 2022, është shifra më e lartë që nga viti 2008, kur BSH ka nisur publikimin e statistikave.
Rritja e borxhit publik të Shqipërisë ka qenë herë pas herë fokus i raporteve ndërkombëtare që bënin thirrje për stabilizim të tij. Banka Botërore ka parashikuar një rënie të borxhit të përgjithshëm të Shqipërisë, për vitin 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



