Para

Borxhi i jashtëm përtej 10 mld euro, por ra në raport me PBB-në

Nga Gazeta ‘SI’ – Në fund të gjysmës së parë të vitit 2023, borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë vlerësohet sa 52.4% të PBB-së (10.2 mld euro) me një rënie rreth 8 p.p nga 2022-shi sipas Bankës së Shqipërisë.

Por kjo, thekson BSH, sepse është rritur PBB-ja nominale dhe nuk është zvogëluar borxhi, madje ai është zgjeruar me 3.2% për të njëjtën periudhë. Kjo lidhet me emetimin e Eurobondit, që njihet si borxh i qeverisë. Mbi 50% të këtij borxhi i përket po qeverisë, 16.5% bankave përveç BSH-së, 14.7% janë investime të huaja direkte dhe 2.2 i përkasin Bankës qendrore.

Në ndarjen sipas maturitetit, borxhi afatgjatë përbën rreth 90.8% të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër rreth 9.2%.

Treguesit e aftësisë ripaguese afatgjatë të borxhit të jashtëm kanë vazhduar të përmirësohen edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, ndikuar nga rritja e eksporteve dhe të ardhurave fiskale, raporton BSH.

Kështu, raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve vlerësohet në 115.1%, nga niveli 136.8% një vit më parë. Gjithashtu, raporti i  borxhit  të  jashtëm  ndaj  të  ardhurave  fiskale  u  pakësua  në  183.0%  nga  213.9% një vit më parë.

Edhe treguesit e mjaftueshmërisë së likuiditetit shfaqin tendenca përmirësuese. Stoku  i  rezervës  valutore  mbulon  333.8%  të  borxhit  të  jashtëm  afatshkurtër  në  fund  të  tremujorit  të  dytë  2023,  duke  dëshmuar  për  mjaftueshmëri  në  përballimin e detyrimeve afatshkurtra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë