Ekonomi

Borxhi i Jashtëm i Shqipërisë në rritje ndikuar nga SDR dhe Eurobondi

Në shtator 2021, Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë raportohet në 8.973 milion euro. Rritja nga tremujori i dytë në të tretin rezulton më pak se 100 mln euro. Stoku i BJB-së u zgjerua me 2% ose 193 milion euro. Efekti i përllogaritur i vlerësimit të monedhës USD kundrejt EUR pati ndikim në rritjen e detyrimeve të shprehura në euro, me rreth 47 milionë euro, sipas BSH-së.

Në raport me PBB-në Borxhi u ngushtua në 61.4% nga 62.1% që ishte në fund të qershorit 2021.

Borxhi i Jashtëm Bruto u zgjerua në terma afatgjatë nga rritja e alokimit të SDR-së (mjet monetar i përcaktuar nga FMN, por jo valutë, që përdoret si rezervë e vendeve anëtare apo për këmbime brenda autoriteteve drejtuese). Edhe për faktin e rritjes së investimeve të bankave rezidente në Eurobond.

Kreditorët publikë mbajnë pjesën më të madhe të borxhit të jashtëm, 42% ndërsa ato privatë 14%.

Sipas BSH-së, 52% e BJB-së i përket qeverisë dhe 3% Autoritetit Monetar. Pjesa tjetër është e shpërdarë midis korporatave dhe institucioneve jofinanciare ën marrëdhënie investimi.

Më shumë se gjysma e Borxhit, 54% është hua dhe 89% përcaktohet borxh afatgjatë. Monedha europiane është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, në rreth 66% të totalit, e ndjekur nga SDR me 13% dhe USD me 9%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë