Futbolli shqiptar është në kolaps, me jo pak klube me probleme financiare. Flamurtari dhe Luftëtari, dy nga ekipet e licencuar me “mik” për këtë sezon, janë bllokuar tashmë zyrtarisht nga FIFA për shkak të borxheve të prapambetura ndaj ish-lojtarëve të tyre në periudha të ndryshme, siç bën me dije “Panorama Sport”. Nuk është aspak një “rrufe në qiell të hapur”, është diçka e ditur edhe më parë, nj dënim i pritshëm, madje nuk është çudi që edhe ndonjë tjetër klub i Superiores të ketë të njëjtin fat shumë shpejt për të njëjtën arsye.
Flamurtari nuk mund të federojë asnjë lojtar të ri në tre seksione të merkatos, në merkaton e tanishme, të verës së ardhshme dhe atë të janarit 2021. Një bllokim më i butë për Luftëtarin, që duket se ka më pak borxhe dhe nuk i lejohet nga FIFA të federojë futbollistë në seksionin aktual të merkatos. Në këto kushte, skuadrat në fjalë, që mbajnë dy vendet e fundit në renditje, nuk kanë më asnjë shpresë.
Kjo është situata kritike ku ndodhet futbolli shqiptar, që në nivelin maksimal të tij do të ketë në garë formalisht dy nga dhjetë skuadrat pjesëmarrëse. Por ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me faktin se nuk po gjendet një zgjidhje për t’i shpëtuar klubet tona, si nga FSHF-ja, që shpesh bën një sy qorr e një vesh shurdh, – duke ndikuar në fakt negativisht, – ashtu edhe nga shteti, me të famshmin ligjin e munguar për sportin. Shpesh janë organizmat ndërkombëtarë të futbollit që nxjerrin në sipërfaqe problemet e futbollit tonë, aktualisht në një krizë të thellë financiare.
Kujtojmë që para nisjes së sezonit ishin katër klube me probleme serioze për shkak të borxheve, Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari. Që të katërt rrezikonin të mos licencoheshin, por FSHF-ja i futi në garë. Tani, pas vendimit të FIFA-s, dy prej këtyre klubeve, janë bllokuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.