Para

Borxh për të paguar koncesionet

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se vitin e ardhshëm qeveria shqiptare do të paguajë 125 milionë euro për kontratat e Partneritetit Publik Privat. Fatura e koncesioneve për buxhetin po rritet me ritme të papërmbajtshme dhe brenda tre viteve ajo do të barazojë defiçitin buxhetor. Kjo do të thotë se duke filluar nga viti 2021, Shqipëria do të marrë borxh vetëm për të paguar koncesionarët privatë.

Pas presioneve të shumta nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare u detyrua, që vitin e kaluar të bëjë publike për herë të parë pagesat për kompanitë koncesionare. Sipas relacionit shoqërues të buxhetit, për vitin 2017 taksapaguesit shqiptarë paguan mbi 78 miliardë lekë për koncesionet, të cilat paguhen përmes buxhetit. Por ky ishte vetëm viti i parë i një fature, të cilën taksapaguesit shqiptarë kanë për ta paguar për një kohë të gjatë.

Në buxhetin e 2018-ës, fatura e koncesioneve u rrit në 9.4 miliardë lekë për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja koncesionare, por edhe rritjes së pagesave për disa prej koncesioneve ekzistuese. Por për vitin e ardhshëm rritja do të jetë edhe më e madhe.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se gjatë vitit të ardhshëm, qeveria shqiptare do të paguajë 15.8 miliardë lekë ose 125 milionë euro për llogari të kompanive koncesionare.

Në vetëm tre vjet, fatura e koncesioneve për buxhetin është rritur me më shumë se dy herë duke alarmuar Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por projeksionet janë se fatura e kontratave të Partneritetit Publik Privat do të vazhdojë të rëndohet vit pas viti për shkak të hyrjes në fuqi të koncesioneve të reja, të lidhura me programin 1 miliardë euro. 

Kontratat

Aktualisht buxheti i shtetit paguan për 8 koncesione. Tre prej tyre janë kontrata të dhëna për shërbimet shëndetësore si kontrolli baze, hemodializa dhe sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale. Tre të tjera janë koncesione në fushën e përpunimit të mbetjeve, që ndryshe njihen si inceneratorët, ndërsa dy koncesionet e mbetura janë ai i skanimit dhe Kaskada e Devollit, të dhëna nga qeveria e Partisë Demokratike

Por gjatë vitit të ardhshëm, pritet të hyjnë në fuqi kontrata të reja koncesionesh, të cilat paguhen direkt nga buxheti i shtetit. Sipas parashikimeve të vetë qeverisë, nga 2019-a, buxheti do të nisë pagesat për koncesionin e shërbimit laboratorik, atë të 17 shkollave që po ndërtohen në Tiranë si dhe për koncesionin e rrugës së Arbrit.

Këto kontrata të tjera do të rrisin më tej faturën, sakaq të rëndë që qytetarët paguajnë për koncesionet, duke e çuar atë në plot 15.8 miliardë lekë ose 125 milionë euro vitin e ardhshëm. Por nuk ndalon këtu.

Projekti 1 miliardë

Përveç rrugës së Arbrit, e cila është firmosur tashmë, në programin buxhetor afatmesëm janë përcaktuar edhe 4 akse të tjera kombëtare, që do të jepen me koncesion.

I pari është Thumanë-Kashar. Për këtë aks qeveria ka nisur procedurat e tenderimit duke shpërblyer me bonus 8.5 për qind të pikëve kompaninë Gener 2 e cila ka bërë ofertën e pakërkuar. Segmenti ka një gjatësi 20.8 kilometër dhe kosto të parashikuar 250 milionë euro.

Segmenti i dytë është rruga Kardhiq – Delvinë me gjatësi 28 kilometër dhe kosto 64 milionë euro. Ky është cilësuar një nga akset me prioritare, që shkurton distancën e rrugës Tiranë – Sarandë në 3 orë duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit.

Projekti i tretë është rruga Orikum – Himarë me kosto 130 milionë euro. Për këtë projekt ka 2 variante ose transformimi i rrugës ekzistuese me standarde europiane, ose ndërtimi i një aksi pjesërisht të ri me tunel në Llogara.

Vepra e fundit është rruga Milot-Balldren, pjesë e autostradës Adriatiko Joniane. Kjo rrugë ka një gjatësi 18.2 kilometër dhe kosto të përfart 100 milionë euro. Në total, së bashku me rrugën e Arbrit të pesë akset pritet të kenë një kosto prej 720 milionë euro, që fillimisht do të investohen nga privatët, por më pas do të shlyhen më këste çdi vit nga buxheti i shtetit. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar me fillimin e këtyre pagesave, fatura e koncesioneve për buxhetin në vitin e fundit të mandatit të kësaj qeverie pritet që të kërcejë në mbi 22 miliardë lekë në vit, saktësisht sa shifra e parashikuar e deficitit buxhetor. Kjo do të thotë se duke filluar nga viti 2021, i gjithë borxhi publik do të shkojë vetëm për të paguar koncesionarët privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë