Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një raund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.
Borrell i është përgjigjur kështu letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi atij ditë më parë, duke i prezantuar planin e tij prej pesë pikash, që sipas kryeministrit kosovar do të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të vendit.
Përmes një letre zyrtare, zyrtari i lartë rithekson se kushtet e kërkuara nga BE-ja dhe SHBA-ja lidhur me situatën në Veri janë të qarta, dhe se kryetarët e zgjedhur duhet të largohen nga komunat dhe të ushtrojnë detyrën e tyre në hapësira të tjera.
Megjithatë, Borrell bie dakord me Kurtin që “nuk mund të ketë mosndëshkim për dhunën e kryer më 29 maj” ndaj KFOR-it dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës “dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në përputhje me mandatin e tij”.
Një tjetër pikë që duhet të përmbushet, sipas pritshmërive të Bashkimit Evropian për shtensionimin e vërtetë të situatës, është organizimi i zgjedhjeve të tjera lokale në katër komunat veriore.
Po ashtu, zyrtari i lartë i BE-së ka thënë se do të organizohet një takim i nivelit të lartë në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ka kërkuar që të ndërmerren veprime të de-përshkallëzimit të situatës në veri.
Siç e dini, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me kushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja.
Nuk mund të kemi përparim në normalizimin e raporteve, përderisa ne merremi me menaxhimin e krizave. Të 27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-ja, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëviz përpara. Prandaj, shtensionimi i situatës kërkohet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”.
“Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, shkroi Borrell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




