Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se aspiratat e saj euroatlantike nuk përkojnë me raportet që Beogradi ka me Rusinë.
“Ne mirëpresim zgjedhjet strategjike dhe të guximshme të disa prej tyre [shteteve të Ballkanit Perëndimor] që janë plotësisht në përputhje me sanksionet [kundër Rusisë]. Ne gjithashtu u theksuam atyre që nuk janë rreshtuar ende, ose nuk janë rreshtuar fare, dhe këtu veçanërisht do të theksoja Serbinë, se mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe gjithashtu është e dëshme për interesin kombëtar të Serbisë”, tha Borrell.
Këto deklarata ai i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të bllokut, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë takim që u mbajt më 22 maj, morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell po ashtu porositi shtetet që nuk kanë përshtatur politikën e jashtme me atë të BE-së, që të ndryshojnë sjelljen e tyre.
Serbia është shteti i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke mos ndjekur shembullin e Brukselit. Ndërkaq, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Borrell u bëri thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga ky proces dhe t’i japin fund tensioneve dhe deklaratave e sjelljeve provokuese. Ai tha se rruga drejt integrimit evropian shkon përmes bashkëpunimit dhe ndërtimit të fqinjësisë së mirë.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se gjatë takimit, disa minsitra theksuan rëndësinë e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Natyrisht që normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një prej temave që sfidojnë rajonin tonë. Unë kam paraqitur qëndrimin e Republikës së Kosovës që ne marrëveshjen që kemi lidhur në Bruksel dhe fazën e implementimit në Ohër e shohim si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe që presim nga Serbia – edhe pse sinjalet janë jo të mira, ngase edhe ju jeni dëshmitarë se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiç, ministri i Jashtëm [serb, Ivica] Daçiç por dhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm që refuzojnë implementimin, por edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshje të tillë”, tha Gërvalla pas takimit.
Ajo po ashtu tha se takimi me zyrtarët e BE-së ishte i “frytshëm” dhe u diskutua për sfidat që po përballet Evropa dhe Ukraina, por edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




