Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar sot se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic.
Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që të mbyllin përfundimisht kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.
Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Mëngjesin e sotëm zhvillova takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë për të përgatitur takimin e nivelit të lartë të dialogut që mbahet këtë pasdite”, shkroi Lajçak në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




