Kosova

Borrell bën thirrje për uljen e tensioneve: Reagime të papranueshme

Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i bllokut europian, Josep Borrell, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke shtuar se dhuna në veri të Kosovës është “e papranueshme”.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian i bëri këto komente para një takimi të ministrave të Jashtëm të bllokut që po mbahet në Bruksel, teksa u kërkoi palëve që t’i kthehen dialogut.

“Ata duhet t’i kthehen dialogut. Ata duhet ta tejkalojnë këtë tendencë të konfliktit në rrugë, krijimin e bllokadave. Kjo nuk është mënyra se si kërkohet marrëveshja. Kjo nuk është mënyra se si zhvillohen bisedimet. Kjo nuk është mënyra se si kërkohet zgjidhja, se si kërkohet normalizimi i raporteve përmes procesit në të cilin ata janë angazhuar”, tha Borrell.

Ditëve të fundit, tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe janë rritur, me serbët që kanë ngritur barrikada dhe me Policinë e Kosovës që ka shtuar prezencën e saj në këtë pjesë të shtetit.

Serbët nisën ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Kosova argumenton se ai qëndron pas sulmeve ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, Borrell tha se bllokimi i rrugëve, si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të ish-policit serb, është i papranueshëm.

“Unë e di se të dyja palët janë të gatshme që të ulin tensionet dhe fuqishëm ftoj të dyja palët që ta bëjnë këtë. Por, në këtë rast, unë kam qenë në kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa i dërguari i posaçëm [i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, ka qenë në kontakt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kjo prishje e rendit publik dhe kjo dhunë është e papranueshme”, tha ai.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë