Nga Gazeta ‘Si’- Në takimin virtual me drejtuesit e qarqeve të Partisë Demokratike, kreu Sali Berisha u bëri thirrje që të përgatiten për mosbindje civile të zgjatura dhe sakrifica, pasi sipas tij opozita është shpresa e fundit e popullit shqiptar.
Ai tha se opozita kërkon vendosjen e qeverisë teknike për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme që vitin 2025.
Berisha u shpreh se, ekonomia e solli Donald Trump në presidencën e SHBA-së ndaj për këtë arsye, ai tha se kjo do të jetë edhe çështja kryesore dhe themelore e agjendës së PD-së, në fushatën zgjedhore të vitit 2025.
“Por, duhet të jemi të sinqertë, ishte një arsye tjetër madhore që bëri që amerikanët të rikthenin presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky ishte faktori ekonomik.
Ju jeni dëshmitarë se prej disa kohësh ne kemi parashtruar programin tonë ekonomik të emergjencës, program i cili synon të rikthejë individin, problemet, të gjitha çështjet e tij jetësore në qendër të veprimtarisë qeveritare drejtuese. Ndaj dhe ajo që unë kërkoj sot nga ju në të gjithë axhendën tuaj, çështja kryesore do të jetë çështja ekonomike. Ne kemi paraqitur para qytetarëve një paketë e cila konsiston në minimumin jetik prej 200 eurosh, me rrogën minimale 500 euro, në dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë, në rrogën mesatare 1200 euro. Ky program emergjence duhet të jetë programi i debatit më të gjerë me qytetarët”, deklaroi Berisha.
Berisha u shprehur se vendi është në një krizë të madhe ekonomike dhe sipas tij, boritë e urisë bien në të katër anët e vendit. Ai tha gjithashtu se paratë për zbatimin e programit ekonomik të emergjencës që do të krijojë PD, do ua marrin të korruptuarve.
Ai u kërkoi deputetëve që nga nesër të regjistrojnë çdo takim me qytetarët dhe ta postojnë në rrjete sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.