Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell tha se është e rëndësishme që qytetarët serbë në Kosovë që kanë të drejtë vote, të mund ta ushtrojnë atë gjatë referendumit për ndryshimet kushtetuese në Serbi, që mbahet të dielën më 16 janar.
Ai tha se edhe në të kaluarën, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), ka lehtësuar grumbullimin e votave të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
“Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Vuçiq lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, tha Borrell përmes një postimi në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.
“Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, shkroi Kurti në Twitter pas një bisede me Borrellin më 12 janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.