Ngjarje

Borë në zonat malore: Ortekët bllokojnë Qafë Thoren, përmbyten tokat në Obot dhe Fushë-Krujë

Reshjet e shiut dhe dëborës kanë përfshirë gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit zonat malore në veri dhe juglindje të vendit, kryesisht në lartësitë mbi 800 metra.

Për shkak të reshjeve të borës dhe rënies së ortekëve, Qafë Thora është bllokuar.

Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të reduktojnë shpejtësinë dhe të jenë të pajisur me goma dimërore ose zinxhirë kur lëvizin drejt zonave ku ka prani të dëborës.

Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë shtuar ndjeshëm nivelin e lumit Ishëm në Fushë-Krujë, duke bërë që të dalë nga shtrati.

Lumi ka dalë nga shtrati në fshatin Murqinë, duke bërë që dhjetëra hektarë tokë bujqësore të jenë nën ujë.

Po ashtu, një lagje e këtij fshati është e izoluar pasi rruga është e kalueshme vetëm me mjete të larta.

Ndërsa në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, pa rrezik për banesat deri në këto momente.

Aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin për mjetet e vogla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë