Treg

Bordi i Transparencës do të monitorojë edhe çmimet e produkteve të shportës në markete

Qeveria ka miratuar aktin e monitorimit të çmimeve të produktit të shportës nga bordi i transparencës në raport javor.

Akti i miratuar në fund të muajit mars përcakton se bordi do të monitorojë çdo javë çmimet e produkteve, sipas listës së miratuar prej tij dhe do të vendosë marzhin e fitimit.

Kushtet e bordit do të zbatohen nga të gjithë bizneset, në të kundërt gjobat nisin nga 2 mln lekë për tregtarët e vegjël në 10 mln lekë, e më pas mbyllje e biznesit dhe sekuestrim malli.

Konkretisht për subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 10 milionë lekë, ndërsa subjektet e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 2 milionë lekë.

Akti Normativ përcakton ndër të tjera se të gjitha subjektet janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave deri në 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim garantimin e popullatës me furnizime.

Sipas rastit, Bordi mund të vendosë krijimin e një task-force, me përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Bordi çdo javë do të monitorojë vlerën e çmimit të produkteve, sipas listës së miratuar prej tij, dhe vendos marzhin e fitimit.

Vlera e çmimit do të përcaktohet nga çmimi i dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas origjinës së produkteve. Nga marzhi i fitimit të përcaktuar nga Bordi, për subjektet e importit dhe prodhimit.

Ndërsa për subjektet e tregtimit me pakicë, nga marzhi i fitimit i përcaktuar nga Bordi, mbiçmimin e përllogaritur, do të aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi.

Bordi do të përbëhet nga ministri përgjegjës për financat dhe ekonomisë, si kryetar. Ministrin përgjegjës për bujqësinë, Drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, përfaqësues nga shoqëritë e tregtimit të produkteve;

Bordi mund të ftojë të marrin pjesë në mbledhjet e tij edhe përfaqësues të tjerë nga institucione shtetërore, ekspertë të fushës apo grupe interesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë