Politike

Bordi i AMA-s kundër Qeverisë për Ligjin Antishpifje

Tre anëtarë të zgjedhur nga opozita në Autoritetin e Medias Audiovizuale rrëzojnë projektligjin e Qeverisë, të njohur si Paketa Antishpifje. Sami Neza, Agron Gjekmarkaj dhe Suela Musta me anë të një deklarate për median bënë të ditur se ishin kundër kalimit në Parlament të projektligjit “Për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë”.
Këshilli i AMA shqyrtoi projektligjin e përgatitur nga qeveria dhe sipas procedurës u votua në bord në lidhje me kërkesën e Parlamentit për dhënie mendimi. “Me tre vota kundër projektligjit nga pesë anëtarë, AMA jep përgjigje negative në lidhje me ndryshimet që janë bërë ligjit “Për mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, që synojnë rregullimin përmes institucioneve publike të medias së shkruar online. Projektligji ngarkon AMA dhe Këshillin e Ankesave në këtë institucion për implementimin e ndryshimeve të pritshme nëse projektligji miratohet në Parlament”, thuhet në reagimin e tre anëtarëve.

Tre anëtarët e AMA-s, Zylyftar Bregu (i shkarkuar), Suela Musta dhe Sami Neza. Gazeta "Si", 18 nëntor 2019

Mësohet se ata kanë paraqitur argumente që lidheshin me nevojën për forcimin e lirisë së mediave online, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim përmes rritjes së profesionalizmit, mbështetjes së mediave të reja, vetërregullimit të tyre, rritjes së edukimit për median, gjë që ndryshimet e parashikuara në ligj nuke realizojnë.
Propozimet e qeverisë sipas tyre e ndrydhin lirinë dhe zhvillimin e medias informative online. “Propozimet e qeverisë anashkalojnë një nga parimet më të rëndësishme të medias së shkruar atë të vetërregullimit ndërkohë që aktet ndërkombëtare dhe veçmas direktiva e BE për mediat audiovizive inkurajon edhe vetë rregullatorët ti japin përparësi këtij parimi. Fatkeqësisht ndryshimet në ligj nuk janë mbështetur mbi këto praktika të vendeve të lira dhe demokratike duke i dhënë AMA, një institucioni të pavarur parlamentar ndër të tjera edhe kompetenca për vlerësimin e përmbajtjes editoriale të medieve”, thuhet në reagimin e tre anëtarëve.

Faksimile e projektligjit që po shqyrtohet nga Parlamenti. Gazeta Si, 18 nëntor 2019

AMA përbëhet nga 7 anëtarë që zgjidhen nga Parlamenti, por dy anëtarët e saj Piro Misha dhe Zylyftari Bregu janë larguar. Misha është zgjedhur drejtor i Bibliotekës Kombëtare, duke bërë që të japë dorëheqjen si anëtar i AMA-s, ndërsa Bregu, i zgjedhur me propozimin e LSI-së, u shkarkuar nga Parlamenti me argumentin se gjendet në kushtet e konfliktit të interesit për shkak se një dekadë më parë kishte marrë me qira një parcelë toke publike. Pavarësisht se OSBE-ja ka dalë kundër miratimit të një drafti të tillë dhe se kërkon që të rishikohet, duke vënë theksin se drafti duhet të ruajë parimet ndërkombëtare për lirinë e medias. Por qeveria në projektligjin e parashikuar pretendon se janë marrë në konsideratë edhe rekomandimet e OSBE-së dhe tashmë janë pjesë e diskutimeve në Parlament.
Por në draftin final që pritet të diskutohet nga komisioni i Ligjeve gjobat ndaj mediat online që vendosen nga AMA, e cila duhet të krijojë një strukturë të posaçme Këshilli dhe që merr kompetencat e një “gjykate”. Pavarësisht se vendimi ankimohet në gjykatë, gjoba është titull ekzekutiv. Sipas draftit vendoset gjoba në masën nga 40 000 deri në 800 000 lekë, kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave ose të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1, të këtij ligji. Ndërsa vlera e gjoba varion nga 100 000 deri 1 000 000 lekë që vendosen nga Këshilli i AMA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë