Treg

“Boom”-i i Xiaomit, tejkalon Apple dhe ndjek Samsung

Xiaomi, kompania kineze e prodhimit të telefonave inteligjentë ka zënë vendin e lënë bosh nga Huawei, një tjetër kompani kineze duke u renditur e dyta për numrin e shitjeve në tremujorin e dytë të këtij viti.

Xiaomi aktualisht zë 17 për qind të tregut global të telefonave inteligjentë, duke u renditur pas kompanisë koreano-jugore, Samsung dhe duke lënë pas kompaninë amerikane, Apple.

Samsung mbetet në krye të shitjeve në këtë treg me 19 për qind të tij, ndërsa Apple ruan kuotat e zakonshme tashmë prej 14-15 për qind të tregut. Në total, tre kompanitë zënë rreth gjysmën e tregut global të telefonave inteligjentë, ndërsa gjysma tjetër shpërndahet mes dhjetra kompanive të tjera.

Xiaomi zuri vendin e dytë për herë të parë me 17 për qind të peshës që zë në tregun global të smartphone, një rritje 3 për qind nga tremujori paraardhës. Në total, shitjet e telefonave inteligjentë u rritën në këtë tremujor me 12 për qind.

Ajo që ka ndihmuar kompaninë kineze që të rritet me shpejtësi në këtë treg janë çmimet. Xiaomi është përqëndruar kryesisht në Kinë, Indi, Amerikën e Jugut dhe Afrikë, ndërsa nuk shet telefonat e saj në SHBA. Çmimi mesatar i shitjes së telefonave Xiaomi është nga 40 deri në 75 për qind më i lirë në krahasim me Samsung dhe Apple përkatësisht.

Vetëm në Amerikën e Jugut, kompania raportoi për këtë tremujor rritje me 300 për qind të shitjeve, 150 për qind në Afrikë dhe 50 për qind më shumë në vendet e Bashkimit Europian dhe Britaninë e Madhe.

Vitin e fundit, kompania kineze është përqëndruar në promovimin dhe shitjen e telefonave me cilësi të lartë. Në muajin prill ajo hodhi në treg një seri të tyre, përfshi këtu edhe telefonin “Mi 11 Pro Ultra”, telefoni më i shtrenjtë i saj që varion nga 1300 deri në 1500 dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë