E shtunë pozitive për kuqezinj e dardanë që aktivizohen në kampionatet e huaja të futbollit evropian. Emri që spikat është Rey Manaj, edhe një herë heroi në fitoren e Sivasspor, 5-2 ndaj Kayserispor. Sulmuesi kuqezi shënoi dy herë dhe shërbeu për dy të tjerë duke arritur kuotën e 6 golave, 3 nga të cilët kanë zhbllokuar rezultatin. Në Superligën turke shënoi edhe Florent Hadërgjonaj në fitoren 5-4 të Alanyaspor ndaj Istanbul Basaksehir. I rrjeshtuar në mbrojtje bashkë me Fidan Alitin, Hadërgjonaj shënoi golin e 5 të vendasve duke çuar shifrat në 5-3 përpara se Piatek të ngushtonte me 11 metërsh në 5-4. Nga Liga e 1-rë vjen Jurgen Bardhi (ish lojtar i Partizanit) që shënoi golin e vetëm të fitores së Umraniyespor (të premten) ndaj Sanliurfaspor.
Nga Turqia shkojmë në Spanjë, atje ku Marash Kumbulla shënoi golin e dytë këtë sezon në barazimin e Espanyol në transfertën ndaj Sevilla-s. Mbrojtësi kuqezi kërkoi vetëm 15 minuta për të zhbllokuar një ndeshje që rezultoi delikate për miqtë të cilët luajnë për të qëndruar mes më të mirëve. Pikë e artë në një një luftë të ashpër me Alaves dhe Getafe-n për mbijetesë. Rrugëtimin e golave kuqezinj-dardanë e vazhdojmë në Bundesliga 2, ku një ditë më parë u zhvillua një “klasike” mes Hertha Berlin dhe Hamburg në kryeqytet. Ermir Sahiti (mesfushori dardan i miqve që kryesojnë klasifikimin) e filloi ndeshjen me një karton të verdhë në 3’ por kontributi i tij maksimal do të vinte 81’ më pas. Kombinimi me Richter dhe gjuajtja e saktë mjaftuan për golin e 3 që rezultoi i fitores për të ruajtur vendin e 1-rë në Bundesliga 2.
Zbresim në Serie B ku Silvio Merkaj shënoi një dygolësh në fitoren e Sudtirol ndaj Frosinone-s në transfertë. 27 vjeçari hapi sfidën dhe dyfishoi shifrat përpara golit të 3 nga Casiraghi. Duke qënë se luajnë për konfirmimin, ky dygolësh i Merkaj merr rëndësi maksimale për Sudtirol. Dhe në fund Armando Dobra që luan për Chesterfield (League Two) në Angli atje ku lojtari i krahut të majtë shënoi golin e 7 sezonal në një barazim ndaj Port Vale. Dobra ka shënuar gjithnjë nga aksioni dhe në 4 raste ka zhbllokuar sfidën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.