Ngjarje

Bonusi i personave me aftësi të kufizuar do të shpërndahet pas festave, Spahiu: E kemi pritur prej ditësh, duhet të ndahej me 31

Nga Gazeta Si- “Me 31 dhjetor duhej të merrnim shpërblimet, siç na premtuan, por kemi disa ditë që pyesim në sportelet e njësisë bashkiake dhe na thonë sdimë gjë”.

Shpresa Spahiu, 50 vjeç, tetraplegjike, thotë se deri në datën 31 dhjetor kishin shpresë se do të tërhiqnin bonusin që qeveria akordoi për ta.

Shpresa jeton e vetme në një nga garazhet e një pallati 11-katësh në rrugën ‘Don Bosko’ në Tiranë.

Darka e ndërrimit të festave për të ishte modeste, me një tavolinë me pak gjëra.

Ajo thotë se bonusi prej 15 mijë lekë do të ishte një suport në buxhetin e saj, pasi pensioni i invaliditetit nuk i mjafton për veten, duke marrë parasysh kostot shëndetësore, paketën higjieno-sanitare etj.

“Bonusi 15 mijë lek e kisha menduar ta shpenzoja për ushqime. Pensionin e invaliditetit e kemi marrë më herët, por ai shkon i gjithi për blerjen e pampersave, ilaçet që marr çdo muaj’, thotë Shpresa.

Prej ditës kur qeveria mori vendimin për dhënien e bonusit 15 mijë lekë për personat me aftësi të kufizuar, nga ana e Shërbimeve Sociale u morën masat për hartimin e listave të përfituesve të bonusit prej 15 mijë lek.

Burime konfidenciale nga ky institucion i thanë Gazetasi.al se vetëm të hënën me 30 dhjetor janë dërguar listat në Thesar dhe duket se fondet do të shpërndahen pas datës 6 janar.

‘Pas daljes së vendimit, në datën 27 dhjetor, ne kemi punuar me orare të zgjatura të përgatisim listat e përfituesve dhe kujdestarëve të tyre që do të marrin bonusin e fundvitit. Ka qenë një punë voluminoze dhe vetëm dje janë dërguar listat në Thesar’, thonë burimet për Gazetasi.al.

Në pikat e shpërndarjes së pensioneve në Tiranë, edhe në datën 31 dhjetor, personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre vijuan të mbajnë radhë pasi ende shpresonin se do të shpërndahej shpërblimi i akorduar për ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë