Nga Gazeta ‘SI’ – Gjetje e fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se politikat e qeverisë për të nxitur rritjen e popullsisë, kanë dështuar.
Sipas KLSH, bonusi i bebes, një nga politikat kryesore që synonte rritjen e lindshmërisë në vend, nuk ia arriti qëllimit.
Referuar të dhënave të paraqitura konstatohet një trend në ulje të shpenzimeve për bonusin e bebes, gjë që tregon për një rënie të numrit të lindjeve. Që nga momenti i implementimit deri në 2024-n, përfituesit e bonusit janë pakësuar me 10 mijë dhe fondi i dedikuar për këtë qëllim, mbetet stok.

Ekspertët e auditmit theksojnë se qeveria duhet të vlerësojë të tjera politika për të mbështetur familjet me fëmijë, të cilët kanë një rrezik varfërie më të lartë se të tjerët, 25% me 10.5%.
Bazuar në gjetje, KLSH argumenton se Shqipëria nuk ka një plan gjithëpërfshirës dhe ndërsektorial që trajton fenomenin e moshimit të popullsisë. Planet e deritanishme nuk kanë sjellë asnjë përmirësim, pasi vendi vazhdon të ketë rënie të lindshmërisë.
Bonusi i lindjes u vendos në vitin 2020 dhe nis me 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 mijë lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 mijë lekë për lindjen e bebes së tretë.
Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, përfitimi është masën 80 mijë lekë për secilën foshnjë dhe për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy bebe të lindura njëherësh masa e përfitimit është 120 mijë lekë për secilin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje