Analize

Bombardimi ndaj Iranit e ndihmoi Benjamin Netanjahun

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ai ishte bërë shumë jopopullor, tani partia e tij është përsëri e para në sondazhe

Gazeta Si – Vendimi për të sulmuar Iranin ka ringjallur karrierën politike të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Pas një krize të gjatë popullariteti, partia e tij e krahut të djathtë Likud, tani kryeson sondazhet. Udhëheqësit e opozitës pothuajse unanimisht e kanë mbështetur luftën e tij kundër Iranit.

Dhe sipas mediave izraelite, Netanjahu madje po shqyrton thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme për të përfituar nga situata.

Ky është një ndryshim dramatik nga vetëm pak muaj më parë, kur Netanjahu ishte një nga politikanët më të papëlqyeshëm në vend dhe shihej si një udhëheqës në krizë, i paaftë për të mbrojtur vendin e tij.

Kriza e Netanjahut filloi pas sulmit në Izrael më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau më shumë se 1,100 njerëz, kryesisht izraelitë, në atë që mbahet mend si dështimi më i madh i inteligjencës dhe sigurisë në historinë e vendit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu flet në një konferencë për shtyp para rrënojave të një ndërtese të shkatërruar nga një raketë iraniane në Rehovot, 20 qershor 2025

Netanjahu u akuzua për nënvlerësim të rrezikut të Hamasit dhe për dobësim të gatishmërisë së forcave të armatosura, me të cilat ai kishte qenë në konflikt në muajt e mëparshëm, për arsye të përplajeve të brendshme.

Popullariteti i Netanjahut ra ndjeshëm dhe për muaj të tërë të gjitha sondazhet tregonin se, në rast zgjedhjesh, karriera e tij politike do të ishte e dënuar të dështonte.

Kryeministri izraelit u përgjigj duke u përpjekur ta shmangte problemin: ai shtyu (dhe vazhdon ta shtyjë) një hetim mbi përgjegjësitë e 7 tetorit, duke argumentuar se nuk është e mundur të organizohet një i tillë në kohë lufte.

Për muaj të tërë, ai vazhdoi të shmangte të gjitha rastet publike në të cilat mund të sfidohej: në javët pas 7 tetorit, ai shpesh shmangte vizitat tek të afërmit e viktimave të Hamasit dhe nuk mori pjesë në funeralet e tyre.

Një protestë në Tel Aviv kundër qeverisë Netanjahu, 24 maj 2025

Fillimi i luftës në Rripin e Gazës nuk i solli dobi politikisht Netanjahut. Edhe pse shumica dërrmuese e popullsisë e miratoi atë, shumë besonin se përveç objektivave të deklaruara (shkatërrimi i Hamasit, sjellja e pengjeve në shtëpi), Netanjahu e shihte luftën edhe si një mënyrë për të qëndruar në pushtet dhe për të shtyrë momentin në të cilin ai do të duhej të jepte llogari për gabimet e tij.

Për më tepër, ndërsa lufta përparonte, qeveria e Netanjahut u tregua gjithnjë e më pak e ndjeshme ndaj kushteve të pengjeve ende në duart e Hamasit: në më shumë se një rast, ajo hodhi poshtë marrëveshjet e armëpushimit që do të kishin çuar në lirimin e tyre, duke argumentuar se ishte më e rëndësishme të arriheshin objektivat ushtarake. Kjo e rriti jo-popullaritetin e saj.

Gjërat filluan të përmirësoheshin për Netanjahun vjeshtën e kaluar, pasi Izraeli e dobësoi ndjeshëm grupin libanez të mbështetur nga Irani, Hezbollah, me një seri operacionesh inteligjence dhe sulmesh ushtarake.

Grupi shihej nga shumica e izraelitëve si një kërcënim për sigurinë dhe suksesi i operacioneve izraelite rriti popullaritetin e Netanjahut dhe partisë Likud.

Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump, 7 prill 2025

Një fenomen i ngjashëm është parë ditët e fundit pas sulmit ndaj Iranit, por në një shkallë më të gjerë: Sipas sondazheve, 70 përqind e popullsisë izraelite (dhe 82 përqind e hebrenjve izraelitë), mbështesin vendimin për të sulmuar Iranin, i cili shihet si një kërcënim ekzistencial për sigurinë e shtetit të Izraelit.

Sulmi u përshëndet gjithashtu si një sukses i madh ushtarak në Izrael: bombardimet izraelite arritën të eliminonin pjesën më të madhe të zinxhirit komandues ushtarak të Iranit dhe e vunë regjimin në vështirësi të mëdha.

Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve të vrarë në Izrael ka qenë më i ulët se sa kishin parashikuar shumë analistë ushtarakë, të cilët kishin vlerësuar qindra e mijëra vdekje.

Numri i njerëzve të vrarë nga bombardimet iraniane tani është 28. Numri i iranianëve të vrarë nga bombardimet izraelite është më shumë se 600, kryesisht civilë.

Një tjetër sukses që i atribuohet Netanjahut ishte bindja e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për të ndërhyrë në luftë për të bombarduar centralet bërthamore iraniane.

Netanjahu lutet te “Muri i Lotëve”

Netanjahu ka pasur gjithmonë një ndikim të madh në politikën amerikane, por bindja e Trump për të sulmuar Iranin, diçka që asnjë president i SHBA-së nuk e ka bërë ndonjëherë, është një arritje e madhe diplomatike.

Në fakt, shumë izraelitë mendojnë se, me operacionet kundër Hezbollahut dhe Iranit, Netanjahu ka arritur të shpengojë veten nga dështimi i 7 tetorit.

Netanjahu ndoshta mendon kështu vetë: ndryshe nga ajo që ndodhi dy vjet më parë, kur ai u përpoq të shmangte kontaktin me publikun sa më shumë që të ishte e mundur, ditët e fundit kryeministri ka marrë pjesë në të gjitha llojet e ngjarjeve, duke takuar të afërmit e të vrarëve dhe duke vizituar komunitetet e goditura nga bombardimet iraniane.

Siç u përmend, nëse do të kishte një votim sot në Izrael, Likud i Netanjahut do të ishte partia e parë, edhe pse koalicioni aktual i ekstremit të djathtë në qeveri nuk do të arrinte 61 votat e nevojshme për shumicën në Knesset, Parlamenti izraelit.

Opozita ndaj Netanjahut, për më tepër, mbështeti luftën ajrore kundër Iranit: “Për çështjen iraniane nuk ka të djathtë ose të majtë. Ka të drejtë ose të gabuar. Dhe ne [izraelitët] kemi të drejtë”, tha Benny Gantz, një nga kundërshtarët kryesorë të Netanjahut në zgjedhjet e fundit.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë