Treg

Bombardimi i Iranit nga SHBA, nafta kalon çmimin 81 dollarë

Nafta ka prekur çmimin më të lartë të 5 muajve të fundit, pasi SHBA-ja bombardoi Iranin duke rritur gjasat e një kundërpërgjigje nga Teherani.

Nafta Brent e papërpunuar, kaloi çmimin e 81.40 dollarë për fuçi, kur tregjet u hapën këtë të hënë në mëngjes. Nafta e Teksasit u rrit me 2% në 75.47 dollarë/fuçi.

Lëvizjet e mëtejshme në çmimin e naftës këtë javë do të varen saktësisht nga mënyra se si republika islamike ose përfaqësuesit e saj si Houthis zgjedhin të hakmerren, thanë analistët.

“Një vijë e kuqe është kaluar,” tha Jorge León, kreu i analizës gjeopolitike në konsulencën e energjisë Rstad, duke vënë në dukje se bombardimet e fundjavës shënuan herën e parë që SHBA sulmoi drejtpërdrejt territorin iranian.

“Në një skenar ekstrem ku Irani përgjigjet me sulme të drejtpërdrejta ose synon infrastrukturën rajonale të naftës, çmimet e naftës do të rriten ndjeshëm,” tha ai. “Edhe në mungesë të hakmarrjes së menjëhershme, tregjet ka të ngjarë të kenë një çmim më të lartë të rrezikut gjeopolitik”.

Çmimet e naftës janë rritur tashmë rreth 14% që kur Izraeli nisi sulmin e parë të papritur ndaj Iranit 10 ditë më parë. Çmimet më të larta të naftës ka të ngjarë të rrjedhin në tregje të tjera të energjisë, si benzina, diçka që mund të nxisë një shpërthim të ri inflacioni në të gjithë botën.

Hyrja e SHBA-së në luftë ka futur “një shtresë të re paqëndrueshmërie në tregjet e energjisë” duke i lënë tregtarët të presin “lëvizjen e radhës të Teheranit”, tha León.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Irani do të përballet me sulme të mëtejshme nëse Teherani nuk “bën paqe”, por republika islamike më parë ishte zotuar se do të hakmerrej nëse SHBA-të përfshiheshin. Forcat e vijës së ashpër në Iran po bënin thirrje tashmë për veprim të dielën, me redaktorin me ndikim të gazetës Kayhan që kërkonte që vendi të sulmonte flotën detare të SHBA në Gji dhe të ndalonte anijet perëndimore që lëviznin nëpër ngushticën e Hormuzit.

Rreth një e treta e furnizimeve të naftës në botë nga deti kalon çdo ditë përmes rrugës së ngushtë ujore që ndan Iranin nga shtetet e Gjirit dhe çdo sulm ndaj anijeve në ngushticë do të shkaktonte menjëherë rritje të çmimeve të energjisë, thanë analistët./FT


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë