Maqedonia fqinje do te njihej tanimë prej dhjetë vitesh si "Maqedonia e Veriut", por marrëveshja është bllokuar në hapat e fundit nga pala greke 1 dekadë më parë. Ndërkohë që Kryeministri Zoran Zaev ka përveshur mëngët për të korrur një fitore të madhe në referendumin në fundshtatori, WikiLeaks ka publikuar një dokument konfidencial, të hartuar në vitin 2008 nga ambasadorja amerikane në Shkup, Gillian Milovanoviç. Sipas këtij dokumenti, ish-kryeministri Nikolla Gruevski ishte i gatshëm të miratonte ndryshimin e emrit të Maqedonisë, me kusht që Greqia të njihte gjuhën dhe kombësinë maqedonase, kushte që nuk u pranuar në atë kohë nga Athina zyrtare. Dokumenti duket se e ka gjetur si Greqinë, ku po planifikohet një valë kombëtare protestash kundër marrëveshjes për emrin, ashtu edhe Maqedoninë, në një moment të vështirë. Ai është përhapur me shpejtësi në mediat greke dhe maqedonase, duke bërë ekspertët dhe qytetarët të ngrenë një sërë pyetjesh. Cili është ndryshimi mes marrëveshjes së vitit 2008 dhe asaj që u arrit në qershor të këtij viti në Prespë? Pse opozita maqedonase, LSDM (në atë kohë partia e kryeministrit Zaev) ishte kundër marrëveshjes? A është duke “korrur” Zaev fitoren e arritur nga ish-kryeminitri Gruevski? Dhe mbi të gjitha si do të ndikojë ky dokument i klasifikuar tek votuesit maqedonas?
Si u prit dokumenteti në Greqi?
Shënimet e ambasadores amerikane kanë shkaktuar jo pak bujë në Greqi, ndërkohë që vendi përgatitet për një javë të papërmbajtshme protestash kundër paktit me Maqedoninë. Nga ana e saj Athina zyrtare tha se dokumenti i referohej pozicioneve të Gruevskit dhe përpjekjeve të tij për të arritur një marrëveshje në nivel shumëpalësh. Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias dha se "Gruevski po shtirej sikur do të pranonte një kompromis.”
“Gruevski nuk dëshironte zgjidhje për çështjen e emrit. Me qëllim që të mashtronte bashkësinë ndërkombëtare, ai po shtirej sikur do të dorëzohej ndaj presionit dhe do të pranonte një kompromis. Askush nuk i besonte, përveç Micotaqisit", deklaroi të martën ministri i Jashtëm grek.
Ndërkohë, kreu i partisë opozitare Demokracia e Re, Qiriakos Micotaqis përsëriti premtimin e tij për të mos e ratifikuar marrëveshjen e emrit mes Athinës dhe Shkupit.
“Sot kuptuam se në vitin 2008, Shkupi ka kërkuar që të riemërohej si “Maqedonia e Veriut”, që qytetarët e tij të quheshin maqedonas dhe që gjoja flasin gjuhën maqedonase. Kjo konfirmon atë që jam munduar t‘ju them prej muajsh. Kryeministri Tsipras dhe ministrat Kamenos dhe Kotzias duan që të na e prezantojnë këtë marrëveshje të dëmshme për Greqinë si një sukses të madh, që plotëson vetëm kërkesat e Shkupit”, tha ai.
Të po të njëjtit mendim duket se janë edhe disa media greke, të cilat shkruajnë se dokumenti i datës 29 korrik, zbulon se Maqedonia nuk ka bërë lëshime ndaj palës greke, dhe se është Syriza e kryeministrit Alexis Tsipras ajo që ka pranuar kushtet e Shkupit zyrtar.
Çfarë do të thotë ky dokument për Maqedoninë?
Dokumenti i publikuar nga WikiLeaks ka shkaktuar reagime të shumta edhe në Shkup, duke bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të pyesin veten nëse Greqia do të refuzojë sërish ratifikimin e marrëveshjes. Por për kryeministrin Zoran Zaev, dokumenti i sapo zbardhur është arsye shtesë për të mbështetur referendumin e 30 shtatorit.
“Shumë qeveri, ashtu si qeveria e mëparshme, janë përpjekur të gjejë një zgjidhje. Si pjesë e marrëveshjes dypalëshe, e njohur si “erga omnes, ishte pranuar edhe emri Maqedonia e Veriut. Më vjen mirë që na u konfirmua tërësisht identiteti ynë dhe gjuha maqedonase, pasi ky ishte synimi i vetëm i ekipit negociues. Unë besoj se këto dëshmi që dalin në dokumnbet janë një arsye më tepër që të qëndrojmë të gjithë së bashku dhe të sigurojmë të ardhme të mirë për Maqedoninë”, tha Zaev
Një reagim i menjëhershëm ka ardhur edhe nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, protagonisti kryesor i dokumenti. Ai ka deklaruar se vendimi i publikuar nga WikiLeaks për të ndërruar emrin në vitin 2008, është shpifje.
“Këto janë tentativa të pasuksesshme për pushtet dhe sigurisht do të pasohen edhe nga shumë të tjera. Ata kanë nisur një fushatë për të publikuar një shumëllojshmëri marrëzirash. Është e qartë pse jam në gjykatë dhe pse më bëhet kjo përndjekje politike. Nëse do të kisha arritur marrëveshje e grekët, tani do të këndohej tjetër këngë”, deklaroi ish-kryeministri maqedonas.
Megjithatë është ende i paqartë impakti që do të ketë zbulimi i këtyre të dhënave tek qytetarët maqedonas. Ai vjen vetëm disa javë para referendumit të 30 shtatorit, kur votuesit do të zgjedhin nëse do të aprovojnë marrëveshjen e arritur nga Tsipras dhe Zaev. Një pjesë e mirë e mediave maqedonase pyesin se çfarë ka arritur në fakt kryeministri Zaev, kur një pjesë e mirë e kërkesave duket se janë hedhur në tavolinë që në vitin 2008. A do të bëjë ky dokument, por edhe protestat që do të mbahen në mbarë Greqinë, që votuesit maqedonas të stepsen para kutive të votimit?
Kryetari i shqiptar Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi deklaroi për “Alsat TV”, se është i bindur se pavarësisht gjithçkaje, shumica e qytetarëve do ta mbështesin referendumin e 30 shtatorit. I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet shumica e nevojshme në referendum , Xhaferi u shpreh se çështja e ndryshimit do të kalojë në duart e institucioneve.
“Nëse qytetarët do të abstenojnë nga e drejta për përgjegjësinë vendimmarrëse, atëherë do t’u lëmë hapësirë institucioneve të marrin përgjegjësisë e nevojshme në proceset vijuese për këtë çështje. Aspektet e interpretimeve akademike, profesionale nuk i përjashtoj, por ato janë interpretime analitike të cilat nuk bartin përgjegjësi për asgjë”, deklaroi Xhaferi.
Cilat janë ndryshimet mes dy marrëveshjeve?
Dokumenti i klasifikuar, i titulluar "Për çfarë kanë nevojë maqedonasit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit" daton më 29 korrik të 2008-ës, edhe pse Milovanoviç ishte ambasadore në Shkup deri në vitin 2007. Ai tregon se kërkesat dhe kushtet e Maqedonisë dhe Greqisë nuk kanë ndryshuar shumë përgjatë dekadës së fundit. Duke krahasuar me marrëveshjen e arritur këtë qershor dhe draftin e WikiLeaks, mund të thuhet se një pjesë e mirë e tyrë janë përmbushur.
Tsipras dhe Zaev ranë dakord që Shkupi të ndryshonte emrin dhe të riemërohej si Maqedonia Veriore, ndërkohë që Greqia do të hiqte veton për anëtarësimin e fqinjit të saj në organizatat ndërkombëtare. Sipas marrëveshjes së fundit, gjuha e kombit të vogël ballkanik, i njohur në Kombet e Bashkuara si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), do të jetë vazhdojë të jetë ajo maqedonase dhe qytetarët do të vazhdojnë të njihej si maqedonas (shtetas të Republikës së Maqedonisë Veriore). Tsipras dhe Zaev ranë dakord se emri i ri duhet të jetë si ndërkombëtar, ashtu edhe bilateral, kështu që edhe 140 kombet që e njohin me emrin Maqedoni do të duhet gjithashtu ta njohin edhe si Maqedonia e Veriut.
Kjo pikë duket se është e njëjtë edhe në marrëveshjen e propozuar nga Gruevski në 2008-ën, e cila ashtu si pakti aktual theksonte ruajtjen e gjuhës dhe identitetit dhe pranimin e saj nga pala greke.
Por sipas dokumentet të WikiLeaks, qeveria maqedonase propozonte në atë kohë që emri i ri të ishte “formal” dhe të përdorej më së shumti në arenën ndërkombëtare. Një nga shqetësimet e Gruevskit ishte nëse Maqedonia do të kishte nevojë të ndryshonte pasaportat ose emrin që vendoste në origjinën e produkteve vendase. Ai propozonte madje që emri i ri të shënohej në kllapa dhe të përdorej krahas emrit FYROM. Gruevski i shprehte ambasadores amerikane besimin se publiku do ta mbështeste këtë marrëveshje në një referendum dhe theksonte se priste gjithashtu përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. Por sipas dokumentit si akuzonte palën greke se po mundohej të zgjaste mosmarrëveshjen, sepse ajo i shërbente si një mjet për të mbajtur nën kontroll Shkupin.
Ndërkohë, sipas marrëveshjes së re, nëse votuesit maqedonas mbështesin ndryshimin e emrit në referendum, qeveria e tyre do të duhet ta ndryshojë gjithashtu edhe kushtetutën, pasi kjo isht një kërkesë kyçe e Athinës. Pas referendumit, marrëveshja në fund duhet të ratifikohet nga parlamenti grek. Kjo nuk do të jetë aq e lehtë, pasi një pjesë e mirë e politikanëve në Athinë, përfshi edhe Ministrin e Mbrojtjes Kamenos, kundërshtojnë çdo emër që përfshin Maqedoninë, ndërsa opozita duket se nuk ka gjasa që të mbështesë marrëveshjen e arritur nga Tsipras dhe Zaev.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.