Futboll

“Bomba” nga Zvicra, Abramoviç lidhje me krimin e organizuar?

Nga policia zvicerane vijnë akuzat edhe për riciklim parash për manjatin rus, pronarin e Çelsit. Shtypi amerikan ndërkohë ngre hipotezën e shitjes së klubit londinez nga Roman Abramoviç

Dy vjet më parë, autoritetet zvicerane i mohuan Roman Abramoviçit, biznesmenit të njohur rus, kërkesën për të qenë rezident në Verbier, një fshat alpin në Canton Vallese. Tani, pas një beteje ligjore që zgjati 7 muaj, janë publikuar edhe arsyet e refuzimit. Britanikja “The Guardian”, duke iu referuar “Tamedia”, një media lokale në Zyrih, ka bërë të ditur raportin e policisë zvicerane për pronarin e Çelsit. Në këtë raport, Roman Abramoviç konsiderohet “një kërcënim për sigurinë publike dhe një rrezik për reputacionin e Zvicrës”. Sipas “Tamedia”, Abramoviç dyshohet nga autoritetet në Zvicër për riciklim parash të pista dhe lidhje të ngushta me krimin e organizuar”. Nga ky aktivitet vjen edhe pasuria më e madhe e rusit, e vlerësuar në 11.8 miliardë dollarë. Akuza që nuk janë shprehur me asnjë vendim gjykate, por janë vetëm informacione nga policia. Por e gjitha kjo ka mjaftuar që pronarit të Çelsit, njërit prej njerëzve më të pasur në botë, t’i mohohet rezidenca në Zvicër.

Roman Abramoviç

Avokati i Abramoviç, Daniel Glasl, ka replikuar për këtë çështje, duke u shprehur: "Çdo hipotezë se Abramoviç është i përfshirë në riciklim parash, apo që ka lidhje me organizata kriminale, është krejtësisht e pavërtetë. Abramoviç nuk është akuzuar kurrë për riciklim parash dhe nuk ka precedent penalë. Nuk ka pasur kurrë lidhje me organizata kriminale".

Menjëherë kanë nisur aludimet, veçanërisht nga shtypi amerikan, se Abramoviç po mendon të shesë Çelsin dhe për këtë i është drejtuar “Raine Group LLC” në Nju Jork. Manjati rus ka refuzuar deri tani disa oferta, ku veçohet ajo prej 2.3 miliardë stërlinash. Pretendimet e tij janë për 3 miliardë stërlina, rreth 3.3 miliardë  euro. Abramoviç e mori Çelsin në vitin 2003, kur ishte në prag falimentimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë