Gazeta Si – Pak pas orës 17:00 të kësaj të hëne, Izraeli ka bombarduar televizionin shtetëror të Iranit. Ky sulm ka ardhur vetëm pak pasi ministri izraelit i Mbrojtjes tha se televizioni do të “zhdukej”. Gjatë sulmit, u panë edhe mbetje që ranë në studio në transmetim direkt.
Pak orë më parë, ushtria izraelite lëshoi një urdhër evakuimi për banorët e Teheranit që jetonin në atë zonë ku ndodhej edhe televizioni shtetëror.
Në një postim në gjuhën perse në platformën X, IDF deklaruan se “do të ndërmarrin veprime në këtë zonë në orët në vijim,” duke theksuar se “prezenca juaj në këtë zonë rrezikon jetën tuaj.”
Zona në fjalë, një nga 21 distriktet e Teheranit, është ndër më të pasurat dhe më të populluarat, ku ndodhen ndërtesa banimi dhe institucione shtetërore, përfshirë selinë e transmetuesit shtetëror Iranian, IRIB (Islamic Republic of Iran Broadcasting).
Ndërkohë, përfaqësuesit e Iranit kanë shkuar në Katar, Arabi Saudite dhe Oman duke u kërkuar atyre të ‘trokasin’ te Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në mënyrë që ai të mund të ushtrojë presion mbi Izraelin, që të bjerë dakord për një armëpushim.
Sipas mediave të huaja, në këmbim, thuhet se Irani është i gatshëm të ofrojë fleksibilitet në negociatat e tij bërthamore me SHBA-në.
Trump deklaroi se Irani “nuk po e fiton këtë luftë” dhe theksoi nevojën urgjente për të nisur bisedime për uljen e tensioneve me Izraelin, konfliktin e të cilit e përshkroi si “dhimbje për të dyja palët”.
“Së pari duhet të flasin menjëherë, përpara se të jetë tepër vonë,” tha ai.
Wall Street Journal raportoi se Teherani po sinjalizonte se donte t’i jepte fund luftimeve, duke cituar zyrtarë të Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.