Politike

“Bomba” e Hashim Thaçit: Njerëzit e Berishës vranë gazetarin Ali Uka!

Me një gjuhë të ashpër dhe tone të papërmbajtshme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka akuzuar për herë të parë publikisht dhe drejtpërdrejt Sali Berishën për vrasjen e gazetarit Ali Uka, pasi ky i fundit kishte zbuluar sipas tij, pazaret e pista të ish Presidentit me Solloban Mishosheviçin.

Berisha dhe Thaçi ishin mbrëmë kokë më kokë në dy intervista të ndara në mediat në Kosovë, por presidenti i Kosovës ishte i pari që do të shpërthente me deklarata dhe akuza të rënda kundër Berishës.

Sipas tij, të gjitha informacionet dhe indiciet për vrasjen e gazetarit nga Kosova që shkruante në atë kohë për mediat e tiranës, të çojnë tek zyra e ish-presidentit Berisha.

Sipas Thaçit, Ali Uka është vrarë në shtëpinë e tij më 30 korrik të 1997 në Tiranë pasi Berisha kishte zbuluar se ai do të publikonte në Gazetën Shqiptarë, informacione për takimet e fshehta të Berishës me Presidentin Jugosllav Millosheviçin dhe atë të ish republikës Federale të Maqedonisë, Kiro Gligorov në Ohër.

“Ali Uka kishte prova edhe për zhdukjen dhe vrasjen e biznesmenit Remzi Hoxha nga shërbimet sekrete të kohës së Berishës”, tha Thaçi në një intervistë për TV Dukagjin ku ai ishte përballë dy paneleve të gazetarëve nga Kosova dhe Shqipëria.

“Dua të them një fakt për herë të parë. Është e vërtetë se Ali Uka atë kohë pretendonte dhe donte të botonte në shtyp të vërtetën e vrasjes së atdhetarit Remzi Hoxha. Ali Uka punonte në Gazeta Shqiptare. Remzi Hoxha i cili sipas Aliut kishte bërë zbulimin e takimeve të fshehta në Ohër në mes të Sali Ramë Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit. Pra Presidentit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Aliu fliste hapur me emra dhe mbiemra se kush e kishte arrestuar Remziun dhe si kishte përfunduar i vrarë. Rrëfimi i Aliut të çonte direkt në zyrën e Sali Ramë Berishës, tek njerëzit në zyrën e Sali Ramë Berishës”, deklaroi Thaçi duke lënë pa fjalë shumë nga gazetarët përballë tij.

Gazetari Ali Uka dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Kreu i shtetit të Kosovës dha të tjera detaje, duke u shprehur së Uka kishte zbuluar se Berisha ishte në dijeni të plotë të qëndrimit të Arkanit në Shqipëri dhe se e kishte lejuar të armatoste njësitë paramilitare serbëve edhe në Kosovë, të cilat luftonin në atë kohë kundër UÇK-së.

“Po për takimin e fshehtë mes Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit në pranverë të vitit 1995”, vazhdoi më tej presidenti i Kosovës. “Nuk është folur shumë në publik për këtë. Pretendimi i dytë i gazetarit Ali Uka ishte se kishte zbuluar atëherë skemën e Arkanit në Shqipëri dhe takimet me zyrtarët e lartë të SHISH. Aliu fliste me fakte që Sali Ramë Berisha ishte në dijeni të plotë të qëndrimit të Arkanit dhe Legias në Fushë Krujë dhe Shkodër dhe që kontraktonin dhe merreshin me kontrabandë, por para së gjithash të armatimit të njësive paramilitare të serbëve edhe në Kosovë, edhe në Kroaci, edhe në Bosnje. Këto deklarime të tij për mua kanë qenë intriguese. Sali Berisha e di shumë mirë kush e ka vrarë Ali Ukën. Me emër dhe mbiemër. E di se kur u burgos, si u dënua dhe kur u lirua me ndikim të drejtpërdrejtë të Sali Ramë Berishës. Ali Uka ka qëndruar dhe ka pirë me të në tavolinë, me dy nga këshilltarët e Sali Ramë Berishës dhe dy persona të tjerë”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se në kohën që Uka është vrarë nga njerëzit e Sali Berishës, ai ishte në burg.
Presidenti rrëfeu për herë të parë se është e vërtetë se ai është arrestuar në Tiranë me pretekstin e armëmbajtjes pa leje.

“Jam arrestuar dhjetë orë para se të vritej Ali Uka te ura e Elbasanit në mënyrë brutale, nga autoritetet e Sali Ramë Berishës. Kam qëndruar 24 orë në komisariat. Dhe kur është vrarë Ali Uka unë kam qenë në burg. Ekziston dosja, vetëm nëse është prishur”, tha presidenti.
“Dokumenti për arrestimin tim mund të gjendet në Komisariatin numër 1 të Tiranës…U kam thënë mos më keqtrajtoni kam familje në Kosovë. Këto gjëra që mi keni zënë janë logjistikë për UÇK-në. Jam ushtar i UÇK-së, mos më nxirrni në televizion sepse e kam familjen në Kosovë dhe Serbia mund t’i keqtrajtojë ata”, tha ai.

Ish përfaqësuesi politik i UÇK-së thotë se ka hasur në mirëkuptim nga oficeri i rastit, por sipas tij ka pasur edhe policë që kur kanë dëgjuar UÇK-në janë sjellë brutalisht.

Gazetari Ali Uka u gjet i masakruar në dhomën e tij në vitin 1997. Ai ishte gazetari i parë që shkroi në mediat e Tiranës për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe solli detajet e organizimit të luftës në Kosovë. Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar për vrasjen e tij Thaçin, edhe ka thënë se Uka ka qenë shok dhome me presidentin e Kosovës.

Sali Berisha dhe Hashim Thaçi

Por ndërkohë që Thaçi fajësonte ish Presidentin shqiptar se e ka arrestuar gjatë luftës, Berisha është përgjigjur duke dhënë versionin e tij të ngjarjeve.

Ish-kryeministri thotë se ai nuk e ka arrestuar Thaçin, por ai është ndaluar pasi u vra gazetari Ali Uka, të cilin sipas Berishës, Thaçi e kishte cimer.

“Hashim Thaçi u arrestua në Tiranë për Ali Uken, cimerin e tij që u gjend i vrarë në banesë”, tha Berisha.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Kosovës shpërthen me akuza të ashpra kundër Berishës, të cilin e konsideroi disa javë më parë si gërmdhë politke. Thaçi ka deklaruar në një intervistë pas Samitit të Berlinit se Berisha është dhe do të mbetet gjithmonë argat i Serbisë. “Sali Berisha ka mbetur si një gërmadhë politike dhe e shoqërisë. Është argat i Serbisë. Gabimi im është që e kam trajtuar seriozisht, por pas shpërthimit të tij në obligimet që ka marrë nga Beogradi për të cenuar Kosovën, e ftoj dhe sfidoj në debat ballë për ballë.

Të jeni të bindur se nuk do të ndahet mirë me argumente. Merre në telefon po të duash. Ka dëshmuar që prej tre dekadash që është argat i Millosheviçit”, tha Thaçi në studion e emisionit “Open”.

Sipas Thaçit, Berisha ka pasur vullnetin që Kosova të mbetët nën Serbi. “E ka quajtur UÇK si terroriste. “Në vitin 1999, i shkova në zyrë dhe e gjeta të çakorduar mendërisht”, deklaroi Thaçi.

Ai shkoi edhe më tej me akuzat ndaj Berishës, duke theksuar se, “Saliu ka qenë gjithmonë që Kosova të jetë autonomi kulturore nën Serbinë. Ai ka pasur vullnetin dhe ka treguar angazhim që Kosova të mbetet nën Serbi”, shtoi Thaçi, duke akuzuar se “Sali Ramë Berisha ka furnizuar Millosheviçin me kallashnikovë që të vazhdonte gjenocidin në Kosovë”, tha ai.

Si u vra Ali Uka

Ali Uka u masakrua me një shishe dhe një kaçavidë në shtëpinë e tij në Tiranë nw vitin 1997. 26 vjeçari nga Kosova kishte fituar jo pak emër në mediat shqiptare dhe vrasja e tij shkaktoi jehonë të gjerë në shtypin asaj kohe. 

Edhe pse gazetar i “Gazetës Shqiptare” u masakrua në vitin 1997, vrasja e tij nuk është zbardhur ende. Ukaj ishte i pari gazetar që kishte publikuar emblemën e UÇK-së në faqet e të përditshmeve ku punonte. Ai kishte lidhje me protagonistët e lëvizjes dhe banonte në të njëjtën shtëpi me Hashim Thaçin, në atë kohë pjesë e UÇK-së dhe sot President i Kosovës. 

Për vrasjen e tij u dënua një i afërm i gazetarit, Selman Uka, i cili i diagnostikua më vonë me probleme të rënda mendore. Por vrasja e gazetarit mori një tjetër kthesë kur i dënuari u arratis në Zvicërr.

Zhdukja e tij mbetet një mister, pavarësisht se gjykata kishte vendosur që ai të mbyllej në psikiatri. Pak kohe pasi ai u dërgua në psikiatri, u arratis në Zvicër. Që nga ajo kohë, e deri më sot, askush nuk ka dëgjuar për të. Grupi hetimor shprehet se pikërisht më 27 prill të vitit 1998, Gjykata e Tiranës ka vendosur dënimin për vrasje, pasi ai ka pranuar akuzën e ngritur. Gjykata e shpalli fajtor, por në vend të dënimit me burg, e liron si të sëmurë psikik dhe e dërgoi në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, ku edhe u pa për herë të fundit.

Rihetimi për dosjen e vrasjes se gazetarit Ali Uka u hap sërish në vitin 2008 nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat bënë të ditur në atë kohë se gjatë hetimeve për zhdukjen e biznesmenit nga Kosova, Remzi Hoxha, në vitin 1995, ka dalë në pah edhe emrin e 26-vjecarit.

Nga hetimet e kryera u zbulua se Uka kishte nisur të investigonte rreth rrëmbimit të Hoxhës në firmën e tij, ngjarje për të cilën janë vënë nën akuzë katër ish-punonjës të SHIK-ut.


Pas vrasjes së gazetarit Ali Uka, një sërë akuzash u ngritën ndaj SHIK-ut të asaj kohe, apo edhe nga shërbimet e fshehta të vendeve të tjera. Megjithatë, këto fakte nuk u vertetuan ndonjëherë.

Grupi hetimor kishte zbuluar se familjarët e Ali Ukajt kishin tentuar të kontaktonin me të dënuarin e arratisur në Zvicër, por nuk ia kanë arritur, pasi sipas dëshmive, ai është shmangur herë pas here. Ndërkohë, akuzat më të ashpra u bënë në Kosovë, ku pretendohej se vrasja nuk ishte kryer nga personi i dënuar, por edhe për këtë nuk u mor përgjigje ndonjëherë. Gjithashtu, kur u ngrit një komision hetimor në Kuvendin e Shqipërisë për veprimtarinë e SHISH, u deklarua se do të shikohet edhe dosja e gazetarit të vrarë, por edhe në këtë rast nuk u publikua asnjë e dhënë konkrete.

Thaçi propozon referendum për bashkimin kombëtar!

Presidenti Hashim Thaçi ka propozuar mbrëmjen e së enjtes mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, nëse BE-ja vendos t’u mbyllë dyert të dyja vendeve.

Duke folur përballë katër analistëve, ai ka paralajmëruar Brukselin zyrtar se nëse vazhdon me izolimin e Kosovës, do të shqyrtohet mundësia për veprime institucionale apo referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Për kreun e shtetit të Kosovës, Bashkimi Europian po luan prej kohësh me Tiranën dhe Prishtinën, duke vonuar proceset euro-atlantike të të dyja vendeve tona.

“Edhe në takimin e Berlinit as që është mbyllur ndonjë ide, por as që është prezantuar ndonjë alternativë e re”, tha ai.

Presidenti u shpreh i sigurt se pas vonesave që Bashkimi Europian po i bënë Kosovës ka ardhur koha që autoritet në Prishtinë të mendon seriozisht për ndërmarrjen e hapave institucional për bashkim kombëtar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

“Këtë mund ta bëjmë qoftë përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve tona, apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri, gjithmonë duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha ndër të tjera Hashim Thaçi.

Thaçi ka shtuar më tej se nëse Bashkimi Europian nuk i donte dy shtete shqiptare me dy flamuj në gjirin e vet, atëherë le të pranonte vetëm një flamur.

Ai gjithashtu ka bërë të qartë se Kosova nuk e ka alternativë Turqinë, Rusinë apo Kinën, por ka alternativë të vetme bashkimin me Shqipërinë.

Ashtu siç edhe pritej, Presidenti Thaçi këmbënguli se ideja për korrigjimin e padrejtësive historike për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar deri më tani.

Megjithatë, reagimet pas deklaratave të tij kanë qenë të menjëhershme. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Social-Demokrate, Milaim Zeka, tha se Presidenti Thaçi, po tregon përralla për bashkimin me Preshevën e bashkimin kombëtar.

“Nuk ka për të bërë asgjë, vetëm përralla janë këto. Përralla e parë është marrja e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit pa dhënë asgjë, e përralla e dytë, është bashkimi kombëtar” tha Zeka.

Por ndërkohë që Thaçi fliste për bashkimin kombëtar me anë të referendumeve, Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, deklaronte në një intervistë televizive se “bashkëpunimi me Kosovën duhet të rritet brenda parametrave të përgjithshëm të bashkëpunimit rajonal dhe pakos së zgjerimit të BE në tërësi”.

Cakaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova do të hapin konsullata të përbashkëta në disa vende ku vetëm njëri nga shtetet ka përfaqësi. Po ashtu, tha Cakaj, shumë shpejt diplomacitë shqiptare dhe kosovare do kenë shkëmbim të stafit dhe përvojave.

Gjithashtu Cakaj përmendi edhe krijimin e një agjende të përbashkët kulturore të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe deklaroi se do të ngrihet edhe një taskforcë e veçantë në ministri për kundërpërgjigje ndaj Serbisë për tërheqjet e njohjeve të Kosovës.

“Do të ngremë edhe Këshillin e përbashkët për propozimin e politikave, ku do të kemi një grup të veçantë ekspertësh dhe diplomatëve që do kenë detyrën e propozimit të politikave që do t’u shërbejnë të dy vendeve”, – tha Cakaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë