Nga Gazeta ‘Si’ – Pasi Këshilli Bashkiak i Himarës vendosi Arqile Bollanon si kryetar të komanduar ka reaguar kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Nga burgu ku ndodhet prej një viti, Beleri shprehet se Rama duke vendosur në krye të Himarës një dështak, sipas tij, do të përfitojë nga pasuritë e Himarës, pronat, ujin dhe detin e saj.
“Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama , nëpërmjet veglave qorre që i shërbejnë në mënyrë të paskrupullt dhe nëpërmjet forcës së pushtetit politik , konsumuan grabitjen e radhës së sovranitetit të popullit të Himarës duke caktuar si “kryetar të emëruar” një të pavotuar , një njeri që nuk përfaqëson askënd, një shërbëtor të pushtetit dhe një dështak në administrimin e Himarës”, shkruan Beleri.
“Vendosja në krye të Bashkisë e ndihmësit numër 1 të dështakut Jorgo Goro, servilit Arqilea Bollano, tregon se Rama do pasuritë e Himares, pronat e saj , ujin e saj, detin dhe vegël më të mirë për të grabitur se ky lake i verbër nuk mund të gjente!”
Ai thotë se “hajdutllëku i ‘kryetarit të pavotuar’i faktuar në 200 faqe raport nga kontrolli i KLSH-së dhe 10 milionë euro abuzime me tendera, është unaza që e mban për hunde të përzgjedhurin e Partisë në pushtet”.
Në reagimin e tij Beleri i premton popullit të Himares së shumë shpejt sipas tij “kjo bandë që ka uzurpuar Bashkinë Himarë dhe abuzon çdo ditë me pushtetin e pamerituar, të vjedhur dhe të sajuar nëpërmjet makinacioneve politike të ulëta, do të dale para drejtësisë me çdo kusht!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.