Ekonomi

Bolivia nuk ka më para – Kriza tregon kufijtë e populizmit të majtë

Vendit po i mbarojnë paratë. Ai duhet të shërbejë si një paralajmërim për Amerikën Latine

Prej disa javësh, skena të pazakonta kanë ndodhur në Bolivi. Muajin e shkuar, banka qendrore atje nisi të shiste dollarë tek qytetarët, pasi pikat e këmbimit kishin mbetur pa para. Radhët për të blerë dollarë mbushën rrugët e kryeqytetit La Paz. Banka qendrore kishte disa kohë që kishte ndaluar raportimin e të dhënave mbi rezervën e valutës së huaj, duke nënkuptuar se kishte shumë pak para të mbetura aty. Vlera e titujve qeveritarë ra dhe investitorët hoqën dorë: një obligacion 5-vjeçar ra në vlerën e 48 centëve.

Makthi i Bolivisë pasqyron shumë probleme afat-shkurtra, si rritja në normën e interesave në të gjithë botën dhe çmimi i lartë i karburanteve. Këto e kanë bërë shumë të vështirë huamarrjen dhe kanë rritur kostot e importit. Por shkaku i vërtetë i këtij kolapsi është modeli ekonomik “moskokëçarës” që kur populistët majtistë morën qeverinë para dy dekadash. Kur Evo Morales, një ish-fermer i kokainës (ai kultivonte bimën që shërben si lëndë e parë) u betua si president në vitin 2006, deklaroi se do t’i jepte fund “epokës koloniale dhe neo-liberale” dhe vari në zyrën e tij një portret të Che Guevara, një revolucionist marksist, të krijuar me gjethet e kokës. Sot kosto reale e populizmit ekonomik po duket qartë duke i dhënë tre mësime të gjithë Amerikës Latie.

Mësimi i parë është i vjetër: mos u mbështet në mallra. Moralesit i ra bingo kur hyri në zyrë, pasi çmimet e gazit natyror patën një rritje pozitive dhe të ardhurat për vendin u shtuan. Eksportet u rritën. Bolivia mblodhi vlerën më të madhe të rezervës së huaj në histori, nga 12 në 52% të PBB-së, në vitin 2012. Morales dhe Luis Arce, që është tani president dhe atëherë ishte ministër i financave, i përdorën të ardhurat për t’i shpenzuar në mënyrë të tepruar, duke përfshirë subvencionet e karburantit, të cilat ishin me vlerë pothuajse 4% të PBB-së në vitin 2022. Fatkeqësisht, çmimet e gazit dhe prodhimi ranë dhe arkëtimi i parave po mbaron.

Mësimi i dytë është: kujdes ndaj varësitë e valutave. Në 2008-n, u vendos një nivel i fiksuar i këmbimit valutor, 6.96 bolivianos (paraja kombëtare) për 1 dollar. Për pak kohë, kjo e mbajti inflacionin të ulët dhe shtroi ekonominë që kishte një historik me turbulenca. Por me kohën, fiksimi në një nivel rezultoi tmerrësisht i kushtueshëm. Në vend që të ofronte qëndrueshmëri, u bë burim problemesh.

Në fund, armiqësia ndaj kapitalit privat kthehet për të të “ngrënë” edhe ty. Bolivia lëshoi dorën me sektorin shtetëror, sidomos në industrinë e gazit dhe rrjetit energjetik. Qeveria e përbuzte pak biznesin. Sigurisht, investimet u tkurrën. Investimet afatgjata nga kompanitë ndërkombëtare kanë rënë dhe përbëjnë vetëm 0.1% e PBB-së së vendit. Atje nuk ka kompani të mëdha.

Thirrjet e Arce për të tërhequr bizneset është e vogël dhe mbi të gjitha, e vonuar. Atij i kanë mbetur vetëm opsione të këqija. Qeveria e tij mund të imponojë masa shtrënguese, të përpiqet të marrë hua edhe më shumë nga huadhënësit shumëpalësh, të mos paguajë ose t’i shesë disa nga depozitat e saj të litiumit në Kinë, firmat e mbështetura nga qeveria e së cilës janë të relaksuara për të drejtat e dobëta të pronësisë, por do të kërkojnë çmime të larta.

Disa vende të tjera të Amerikës Latine kanë varësi të valutave. Shumica varen nga një lloj malli. Rajoni po përjeton një tjetër “valë rozë”, me qeveritë majtiste, shumica e të cilave po garojnë për ndërhyrjen më të madhe të shtetit. Mesazhi nga Bolivia, një shtet të cilit po i mbarojnë paratë, është se në ekonomi ka limite!

Burimi: TheEconomist/ Përshtati: Gazeta ‘Si’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë