Futboll

Bojkoti, Halili: Rikthemi në fushë pas ndeshjeve të kombëtares

Bojkotit të ekipeve të Superiores pritet t’i vijë fundi. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar, por diçka e tillë mund të konfirmohet në ditët në vijim, po të shohim lëvizjet e fundit nga presidentët e klubeve. Përçarja mes presidentëve të klubeve të Superiores ka nisur ditë më parë, por tashmë është thelluar. Përplasja më e fortë është ajo mes presidentit të Kukësit, Safet Gjicit, dhe atij të Apolonisë, Koço Kokëdhima. Gjici e akuzon Kokëdhimën se po e përdor Ligën për përfitime dhe interesa personale. Kreu i klubit verior këmbëngul se kampionati duhet të nisë, pasi edhe shumë klube të tjera duan këtë gjë, ndërsa Kokëdhima e ka sulmuar Gjicin si një njeri me dy personalitete, që mban krahun e qeverisë, me të cilën ka lidhje të ngushta.

Por konfirmimi për rinisjen ka ardhur edhe nga presidenti i Tiranës, i cili ka deklaruar gjatë emisionit “Procesi Sportiv” se ekipet me 100% do të kthehen në fushë pas përfundimit të ndeshjeve ndërkombëtare.

“Kërkesat që kemi bërë janë që ia vlen të shqyrtohet e të dilet me një propozim. Por pse të mos përpiqemi që të bëjmë të mundur të kalojë çfarë është e mundur, ajo që ata e shohin të arsyeshme për të kaluar. I bën mirë gjithë sportit, do ishte mirë të shihej e të bëhej diçka.

Një gjë është e mirë që jemi të gjithë bashkë, themi pa futboll nuk rrihet. Shpresoj që do të gjejmë gjuhën, me bisede mes palëve. Fideli e dikush tjetër që ka marrë përsipër, kryeministri me Dukën si president, meqë kanë bërë disa gjëra të mira, ndoshta edhe takohen bashkë me Fidelin dhe ta zgjidhin këtë çështje. Kthimi në fushë pas Kombëtares? Me 100 përqind po’’,  – u shpreh presidenti i Tiranës, Refik Halili.

Kreu i Tiranës rrëfeu edhe bisedat me deputetin Fidel Ylli, i ngarkuar nga kryeministri për të negociuar me Ligën: ‘’Mendonim që kjo nuk do të zgjasë kaq shumë, mendonim që nuk do të zvarritet kaq gjatë. Në takimin me Fidelin ai ka thënë dilni në fushë, të shohim pastaj çfarë janë këto kërkesat e të shqyrtohen. Këto dy pika që janë të thjeshta, të bëjnë një propozim me më pak, por duhet bërë diçka për futbollin’’, – u shpreh Halili


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë