Vendim i bujshëm i skuadrave të basketbollit amerikan, që kanë bojkotuar ndeshjet në shenjë proteste ndaj racizmit dhe dhunës së policisë kundër afro-amerikanëve. Liga bën me dije se bëhet fjalë për ndeshje të shtyra, por protesta në NBA duket se sapo ka nisur.
Milwaukee Bucks e kanë bojkotuar ndeshjen e 5-të të “Play off”-it ndaj Orlandos. Lojtarët e Bucks nisin një protestë të fortë, ata nuk dalin në fushë, sepse protestojnë kundër brutalitetit të policisë amerikane ndaj afro-amerikanëve. Janë nxitur nga episodi i fundit, nga sulmi që ka lënë të paralizuar Jacob Blake, pasi u qëllua shtatë herë nga plumbat e forcave të rendit në Kenosha, Wisconsin, në shtetin e Milwaukee. Një viktimë e pafajshme, sipas asaj që është raportuar për ngjarjen në Amerikë. Skuadra e Giannis Antetokounmpo, skuadra me rekord në NBA për këtë sezon, thotë “Stop”.

Në kampusin e Orlandos ka pasur shumë reagime kundër padrejtësive sociale. Ka pasur mesazhe në fanellë dhe gjera të kësaj natyre, por tani hidhet një hap historik, por edhe politik, pasi në nëntor janë zgjedhjet presidenciale. Një hap që do të mbahet mend, ashtu si protesta e atletëve amerikanë në Olimpiadën e 1968-ës, me atë grusht të mbyllur të Smith dhe Carlos. Tani një fushë bosh në Orlando.
Pak minuta para ndeshjes, Milwaukee Bucks nuk ishte në fushë, kurse Orlando Magic po. Më pas u mësua lajmi se Bucks nuk do të luanin. George Hill, një lojtar afro-amerikan i Bucks tha: “Jemi të lodhur nga vrasjet dhe padrejtësitë”. Pas pak minutash u mësua se edhe Houston-Oklahoma City nuk do luhet, pasi lojtarët i janë bashkuar protestës së Bucks, që është bërë protestë e gjithë NBA-së. Orlando nuk e pranon fitoren në tavolinë. LeBron James, protagonist kryesor i Ligës, mban qëndrim të fortë në rrjetet sociale. “Duam ndryshimin”, – shkruan ai, që do të thotë se Los Angeles Lakers nuk do të luajnë ndaj Portland.
Ajo e Bucks nuk është një protestë sipërfaqësore, plateale, por një protestë konkrete. Ata qëndruan në dhomat e zhveshjes, reagimi nuk është në princip, por efektiv. Liga dhe shoqata e lojtarëve kanë bërë me dije se ndeshjet e përmendura më lart janë shtyrë, duke marrë kohë, por duket e vështirë që protesta të shuhet, përkundrazi ajo duket se sapo ka nisur. Slogani është “Një lojë krejtësisht e re”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje