Politike

Boçi: Basha, politikani më inkoherent. E kreu misionin e tij  

Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, tha të enjten se, vendimi i gjykatës për simbolet, i dha fund luftës së imponuar brenda PD-së. Boçi tha se Basha e kreu misionin e tij dhe se ai ishte politikani me inkoherent që kish takuar  

"Me këtë vendim merr fund një lloj lufte e imponuar brenda PD-së, lojë cinike që vinte edhe nga faktorë të jashtëm që kërkonin shkatërrimin e saj, por që përdorën karaktere politike të dobëta brenda nesh.

Mbajtja peng e simboleve të PD-së ka qenë një nga projektet më djallëzore për të eliminuar dhe dobësuar PD dhe opozitën.

Si drejtues i PD-së doli si një njeri që në qëllimet e tij nuk kishte nxjerrjen fituese të PD-së, por shkatërrimin e saj. Basha për mua është problemi më periferik i mundshëm sot, brenda problemeve që ka PD-ja që lidhen me organizimin dhe aksionin politik.

Basha e kreu misionin tij, ndoshta e vazhdon dhe e mban pak ajo shpresa rekursit, por që nuk ka se çfarë të bëjë më. Të vazhdojë përpjekjen e tij në sinkron me mazhorancën që nuk sjell gjë tjetër përveçse atë që ne e kemi përcaktuar si vetëpërjashtim të zotit Basha dhe ndonjë tjetri.

Është politikani më inkoherent që kam takuar. Thotë gjëra të ndryshme dhe bën ndryshe, dhe kur i bën nuk i bën me qëllimin dhe kohën e duhur. Duket qartë që kjo pjesa që ka vazhduar dëshmon që nuk ka qenë thjesht rastësore, por ka qenë me ato qëllime që i parashtrova", u shpreh Boçi në një intervistë për CNA


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë