Ngjarje

Bllokohet anija e kapur me 60 kg kokainë në Portin e Durrësit, izolohet ekuipazhi

Gazeta Si - Dhjetë ditë pasi u sekuestruan 59 kg kokainë në hambarët e saj, anija që transportonte qymyr në Portin e Durrësit do të mbahet e bllokuar.

Autoritetet kanë vendosur që deri në fund të hetimeve, marinarët dhe kapiteni rus të mos zbresin në tokë.

Mjeti lundrues është zhvendosur në Kalatën Nr.1, ku do të qëndrojë e bllokuar dhe nën ruajtje policore.

Lëvizja është bërë për të liruar kalatën e shkarkimit për të mos bllokuar punën e mjeteve të tjera.

Anija “Unistream” me flamur të Antigua Barbuda, transportonte 6.500 tonë qymyr dhe mbërriti në Portin e Durrësit më 16 maj.

Kanë qenë partnerët ndërkombëtar ta që kanë sinjalizuar policinë shqiptare për sasinë e drogës.

Kur u ankorua në Durrës, anija u kontrollua me qen anti-drogë, por që nuk zbuluan asgjë, pasi era e qymyrit siç duket e mbulonte atë të kokainës.

Më pas ka nisur shkarkimi i kontrolluar i qymyrit që zbuloi çantat me lëndë narkotike. Droga ishte e ndarë në 53 pako, në dy çanta, Në total 59 kilogram.

Anija është nisur nga porti i Barranquillas në Kolumbi në 26 prill dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj.

Nuk dihet nëse sasia e drogës kishte si destinacion final Shqipërinë apo porti i Durrësit ishte përdorur si tranzit nga trafikantët.

Pas qindra kilogramëve të kapur në kamionët e ngarkuar me banane nga Ekuadori më parë, trafikantët duket kanë gjetur një mënyrë tjetër për të transportuar drogë.

Një ditë pas zbulimit, anija iu nënshtrua një kontrolli me polumbarë në pjesën e poshtme të saj, pasi dyshohej se sasia e lëndës narkotike mund të ishte më e madhe.

Edhe pse hetimet janë marrë në dorë nga SPAK, deri tani nuk ka asnjë person të dyshuar apo të arrestuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë