Ka ndodhur

Bllokohen 1 milion litra naftë kontrabandë nga Tunizia, brenda 24 orëve kapet anija e dytë në Durrës

Gazeta Si – Brenda 24 orëve, një tjetër anije është sekuestruar në Durrës, e cila ka transportuar nga Tunizia 400 mijë litra naftë kontrabandë.

Sipas policisë, në pranga janë vënë 6 persona. Përkatësisht, Mohammed Sallit, Wissan Broud, Hassan Broud, Sami Shanta, Faez Ismaeil, Nedio Mejdani. Nën hetim janë 5 pjesëtarë të ekuipazhit.

Ditën e djeshme u sekuestrua një tjetër anije me 670 mijë litra naftë kontrabandë. Në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga 3 persona.

“Brenda 24 orëve, finalizohet një tjetër operacion policor kundër kontrabandimit të sasive shumë të mëdhaja të naftës, nga Tunizia. Operacioni “Ari i zi 2”, sekuestrohen 400 000 litra naftë dhe anija në balastrat e së cilës ishte fshehur kjo sasi, me qëllim kontrabandimin. Në pranga 6 shtetas dhe në hetim 5, sirianë, egjiptian dhe shqiptar, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. Shpallen në kërkim 2 organizatorët e dyshuar të rastit. •Dje, gjatë operacionit “Ari i zi”, u sekuestruan 670 000 litra naftë e kontrabanduar me të njëjtën mënyrë, si dhe u identifikuan 10 shtetas të implikuar në rast. Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdhaja të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, si dhe Dega e Doganës Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë M. S., 56 vjeç, kapiteni i anijes, Ë. B., 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë, H. B., 47 vjeç, shefi i inxhinierëve, S. Sh., 25 vjeç, shefi i ofiçinës, F. I., 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar N. M., 34 vjeç, oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit J. K., 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe S. S., 32 vjeç, banues në Durrës. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit. Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia”, njofton policia.

Në të dyja rastet, nafta ishte fshehur në balastrat e anijes. Vlen të theksohet se policia ka shpallur në kërkim 4 organizatorët shqiptarë të kontrabandimit të këtyre sasive. Bëhet fjalë për shtetasit Eduart Skora dhe Florian Biba (në kuadër të operacionit “Ari i zi”), ndërsa për rastin e sotëm vijon puna për kapjen e shtetasve Juxhin Koka dhe Serxha Sula.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë