Ka ndodhur

Bllokohen 3 mjete lundruese në Sarandë, Durrës e Shkodër, mes tyre një skaf i vjedhur në Australi

Gazeta Si – Tre mjete lundruese, dy skafë dhe një varkë plastike janë bllokuar në lokalitete të ndryshme bregdetare nga Departamenti i Policisë Kufitare.

Varka plastike dhe njëri nga skafët u bllokuan pasi lundronin të papajisur me dokumentet e nevojshme.
Drejtuesit e tyre u ndëshkuan me gjobë 110 000 dhe 10 000 lekë të rinj.

Skafi tjetër u bllokua pasi dyshohet se ishte i vjedhur në Australi, ndërsa kanë nisur hetimet ndaj drejtuesit të tij.

Në vendin e quajtur “Hunda e Marinës”, Sarandë, u bllokua një varkë plastike, pasi drejtuesi i saj nuk kishte certifikatën për ushtrimin e veprimtarisë si operator ekonomik në fushën e turizmit, si dhe nuk kishte në bord dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këto shkelje, drejtuesi i këtij mjeti, u ndëshkua me dy me vlerë totale 110 000 lekë të rinj.

Në portin e Durrësit, si rezultat i veprimeve verifikuese të kryera në bashkëpunim me homologët gjermanë, u bllokua mjeti lundrues skaf, me drejtues  F. L., 41 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se është vjedhur në Australi. Për 41-vjeçarin u referuan materialet në Prokurori ku nisi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në liqenin e Shkodrës, u bllokua një skaf, pasi drejtuesi i tij nuk kishte në bord dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këtë shkelje, drejtuesi u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë