Vijimi i bllokimit të disa destinacioneve dhe shtrëngimi i disa destinacioneve të tjera si përgjigje ndaj Covid-19, ka sjellë rënien e volumit të mallrave dhe numrit të pasagjerëve të transportuar me rrugë detare, ajrore dhe hekurudhore në muajin gusht 2020.
Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare në gusht 2020 është 61.814 pasagjerë. Krahasuar me gusht 2019, ky tregues është ulur 86,1 %. Si tetëmujor ka rënë me 77,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në muajin gusht 2020, transporti ajror i pasagjerëve zë 74,3 % të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në tetëmujorin e 2020 është 915.646 pasagjerë duke u ulur me 58,8 %, krahasuar me tetëmujorin e 2019.
Kurse volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin gusht 2020 ka rënë me 16,4 %, krahasuar me Gusht 2019, kurse si tetëmujor ka rënë 9,7 %, krahasuar me tetëmujorin e 2019. Ulje më të madhe ka pësuar volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë 51,1 %, krahasuar me gusht 2019. Kurse si tetëmujor volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë ka rënë me 39,9 %, krahasuar me tetëmujorin e vitit të kaluar.
Eksportet/importet e mallrave sipas mënyrës së transportit
Në gusht 2020, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 67,5 mld lekë dhe 46,6 % e tyre u transportua me det. Në tetëmujorin e vitit 2020, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 545,5 mld lekë dhe 50,1 % e tyre u transportua me det.
Eksportet e mallrave
Në gusht 2020, mallrat e eksportuara me det zënë 53,2 %, me rrugë 43,6 % dhe me ajër 1,0 %. Mallrat e eksportuara me rrugë janë rritur me 3,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në tetëmujorin e 2020, mallrat e eksportuara me det zënë 56,0 %, me rrugë 42,1 % dhe me ajër 0,4 %. Në tetëmujorin e vitit 2020, mallrat e eksportuara me rrugë janë ulur 9,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Importet e mallrave
Në gusht 2020, mallrat e importuara me det zënë 43,9 %, me rrugë 49,5 % dhe me ajër 3,3 %. Mallrat e importuara me rrugë në Gusht 2020 janë ulur me 0,8 %, krahasuar me gusht 2019. Në tetëmujorin e 2020, mallrat e importuara me det zënë 47,5 %, me rrugë 46,7 % dhe me ajër 2,9 %. Në tetëmujorin e 2020, mallrat e importuara me rrugë janë ulur me 5,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.