Ka ndodhur

Lirohen kontrollorët, në polici vetëm 3 “organizatorët”. Prokuroria zbardh e-mailet e punonjësve

Prej mbrëmjes së të mërkurës, Policia e Tiranës ka shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Vendore rreth 25 punonjës të kontrollit të trafikut ajror të “Albcontrol”-it.

Ndërkohë që pasi janë marrë në pyetje, pjesa më e madhe e tyre janë liruar, sot në mëngjes, me përjashtim të vetëm tre punonjësve, të cilët konsiderohen nga policia si nxitës dhe organizatorë të bllokimit të fluturimeve nga Rinasi.

Burime, bëjnë me dije se ata janë: Armando Fezga, kreu i sindikatës; Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit; Muhin Mezini, një nga personat që dyshohet si nxitës i grevës.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për situatën e ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Vepra penale, për të cilën po hetohet, është “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se ditën e djeshme kanë qenë të planifikuara për të fluturuar nga Rinasi 13 linja ajrore.

Prej tyre, pesë janë nisur, ndërsa tetë janë pezulluar. Punonjësi A.K. ka shkuar në vendqëndrim për të marrë informacion për linjat e fluturimit, ku dhe i është thënë nga kontrolli se linja e Athinës ishte nisur për në Tiranë dhe se do të ulej në orën 9.

Punonjësi dëshmon dhe ka shkruar në procesverbal se në orën 9.20 konstatoi në pistë avionin e linjës Rinas-Stamboll, që duhet të ishte nisur.

”Pyeta marshallin e VQA, se përse nuk është nisur avioni”, dëshmon punonjësi A.K., “marshalli me tha se janë në grevë punonjësit e AlbControl dhe se janë në pritje të një konfirmimi.”

Sipas TCH, sqarohet dinamika se si ky punonjës është rikthyer në zyrat e load kontrollit dhe se aty është njoftuar se avioni Athinë-Tiranë është kthyer mbrapsht.

E pyetur gjatë mbrëmjes punonjësja e ODM,  Edona Pullazi pohon se e mori detyrën dhe turnin e aty kolegu e kishte njoftuar se i kishte ardhur e-mail për pezullimin e fluturimeve nga ora  9.23 deri deri në 12.

Pullazi shton ”më pas erdhi e-mail po nga AlbControl që anuloi mesazhin e parë dhe që lejonte fluturimet deri në 12 dhe më pas erdhi e-maili i fundit për pezullimin e fluturimeve deri ditën e nesërme datë 8″. Këto e-maile i janë vënë në dispozicion hetuesve.

Prokuroria ka sekuestruar këtë të enjte grafikët e turneve, ku turni i parë kishte dhjetë kontrollorë në detyrë, i dyti dhjetë dhe i treti 7 punonjës. Të gjithë këta kontrollorë që ishin të planifikuar në grafikë, dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën.

Një ditë më parë, Forcat e Armatosura dhe FNSH, morën pasditen e djeshme kontrollin e të vetëm ndërkombëtar në vend, me mazhorancën që e quajti këtë situatë një “grusht shteti”.

Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në “AlbControl”, kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës, ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet në Aeroportin e Rinasit.

Për këtë ngjarje pati reagime shumë të ashpra nga autoritetet shtetërore. Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e kanë cilësuar si një grusht shteti që ka prapavijë politike dhe se është i nxitur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Më herët, vetë Rama u bëri thirrje kontrollorëve që të ndahen nga organizatorët e grevës që i futën në këtë lojë të rrezikshme dhe t’i rikthen punës.

Mnistrja Balluku tha se organizatorët janë kallëzuar në prokurori dhe se qeveria ka një plan për rifillimin e fluturimeve shumë shpejt.

Janë kallëzuar në prokurori 3 organizatorët e kësaj greve, që janë kreu i sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror dhe dy kontrollorë të tjerë, të cilët më datë 12 prill do të japin edhe argumentet se pse kanë braktisur detyrën.

Fluturimet në Aeroportin e Rinasit janë ndërprerë që prej ditës së djeshme dhe nuk dihet nëse do të rifillojnë këtë të enjte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë