Euro ra afër nivelit më të ulët 16-mujor sot pasi shqetësimet për ndikimin e kufizimeve të reja të koronavirusit në Europë po rriten , me Austrinë që ka nisur një bllokim të plotë dhe Gjermania që kërkon të ndjekë shembullin.
Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka thënë zyrtarëve të partisë se masat e marra për të frenuar përhapjen e koronavirusit në ekonominë më të madhe të Europës janë të pamjaftueshme dhe se nevojiten veprime më të forta.
Austria, ndërkohë, ka nisur bllokimin e saj të katërt, i pari që u zbatua që kur vaksinat u bënë gjerësisht të disponueshme, duke mbyllur tregjet, baret, kafenetë dhe teatrot e Krishtlindjeve.
Euro ra me 0.2% në 1.1275 dollarë pranë nivelit më të ulët 16-mujor, në të cilin ra të premten, kur Austria njoftoi bllokimin.
“Covid-19 është një problem më i madh në Europë se kudo tjetër”, tha kreu i Societe Generale në Londër, por ky nuk ishte faktori i vetëm. Problemet globale të zinxhirit të furnizimit po e dëmtojnë Europën më shumë se SHBA-në, ndërsa pritshmëritë që Rezerva Federale do të rrisë normat mbështesin dollarin, shtoi ai.
Bllokimet e reja dhe presioni mbi sektorin e shërbimeve në Europë tani i japin Bankës Qendrore Europiane shumë më tepër arsye për të ecur ngadalë në shtrëngimin e politikës së saj.
Burimi: CNBC/ Përshtati: Gazeta ‘”Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.