Ditët e fundit disa biznese në Tiranë, të kontaktuara nga Gazetën “Si”, kanë shprehur shqetësimin e tyre për bllokimin e mallrave që marrin nga jashtë në Doganë, tashmë prej disa ditësh apo më shumë.
Një butik rrobash me emër në zonën e ish-Bllokut thotë për Gazetën “Si” se ka 2 javë që nuk ka marrë furnizimin dhe ka ngelur me mallin e sezonit të shkuar. Në mungesë të produkteve dhe të shit-blerjeve, pronari i butikut tregon se u detyrua të hiqte nga puna vajzën që kishte punësuar.
Një tjetër biznes që operon online, tregoi për “Si” se për shkak të bllokimit në Doganë, 2/3 e furnizimit që do të arrinte për të, është dëmtuar apo humbur. Masë e përkthyer në miliona lekë dëm.
Gazeta “Si” kontaktoi me biznese të ndryshme në Tiranë, por vetëm disa prej tyre pranuan të prononcohen (kryesisht ata që pohojnë bllokimin në Doganë).
Bizneset që shprehën shqetësimin tregojnë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe asnjë shpjegim për këtë situatë as nga kompanitë me të cilat operojnë dhe as nga autoritetet përkatëse, duke i lënë ata në mungesë produktesh dhe ndoshta humbje. Gazeta “Si” gjithashtu provoi të kontaktonte autoritetet doganore, por nuk mori asnjë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.