Futboll

Blitz në Londër për mesfushor, Juventusi merr ‘Po’-në e Filips dhe Mançester Sitit

Gazeta Si – Misioni i drejtuesve të Juventusit në Londër ka përfunduar. Kristiano Xhuntoli dhe Xhovani Mana kanë ndjekur nga afër ndeshjen Totenhem-Çelsi, pasi janë në kërkim të një mesfushori. Më pas kanë shkuar në Mançester për të vëzhguar Kelvin Filips, mesfushorin që Guardiola i dha minuta.

Dyshja e Juventusit ka takuar agjentin e lojtarit, duke marrë një ‘Po’ prej tij për transferimin në Torino në janar, në formë huazimi. Një pikënisje e mirë për të tratativat, që duket më e thjeshtë se të tjerat, si për kostot, ashtu edhe për vullnetin e palëve të përfshira.

Londra është zemra e merkatos dhe aty drejtuesit e klubit italianë kanë takuar prokuratorë të ndryshëm. Juventusi e kërkon me ngulm mesfushorin Filips, që është gati të largohet nga Anglia në janar, edhe për 6 muaj huazim.

Filips në total ka luajtur 8 ndeshje këtë sezon, 215 minuta. Guardiola e sheh si të fundit nga mesfushorët që ka në dispozicion, sepse është pak efikas për mënyrën e tij të lojës. Lojtari do të luajë sa më shumë, sepse nuk do të humbasë vendin në kombëtare. Ai kërkon një skuadër që t’i garantojë një vend fiks në formacion dhe është gati të pranojë huazimin te Juventusi.

Mesfushorin e kërkon edhe Njukasëlli, për të zëvendësuar Tonali të skualifikuar. Për momentin mbetet e paqartë çështja e pagës, sepse Siti dihet që ka kontrata ‘pasanikësh’. Filips në fakt nuk është mes më të paguarve, ai fiton 5 milionë euro në sezon, një shifër që Juventusi kërkon ta ulë pak. Siti ka dhënë ‘ok’-in për një huazim të mundshëm në Itali dhe tani mbetet të shihet çfarë do të ndodhë konkretisht.

Kandidat tjetër për mesfushën bardhezi është danezi i Totenhemit, Pierr-Emil Hojbjerg, që kushton 30 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë